Çfarë e shkakton një cunami?

Speciale

Çfarë e shkakton një cunami?

Më: 30 janar 2022 Në ora: 13:51
Foto ilustrim

Më 15 janar të këtij viti, vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha’apai në Tonga shpërtheu fuqishëm, duke shkaktuar një cunami që rrugëtoi nëpër Oqeanin Paqësor në të gjitha drejtimet.

Kur u përhap lajmi mbi shpërthimin vullkanik, agjencitë qeveritare në ishujt përreth, por edhe në vende shumë larg prej ndej si Zelanda e Re, Japonia dhe madje edhe Bregu Perëndimor i SHBA-së, lëshuan paralajmërime për rrezikun e cunamit.

Vetëm rreth 12 orë pas shpërthimit fillestar, dallgët e cunamit dhjetëra centimetra të larta goditën brigjet e Kalifornisë, që ndodhen më shumë se 8.000 km larg nga shpërthimi. Unë jam një oqeanograf, që studion dallgët dhe vorbullat oqeanike.

Cunami janë një nga temat e mia të preferuara që u mësoj studentëve të mi, pasi fizika e mënyrës se si lëvizin ato nëpër oqeane, është shumë e thjeshtë dhe elegante. Dallgë disa dhjetëra centrimetra të larta që përplasen mbi një plazh në Kaliforni, mund të mos tingëllojnë si dallgë shkatërruese që të sjell ndërmend ky term.

Por pavarësisht nga madhësia, cunamit nuk janë dallgë normale. Po si ndryshojnë ato nga dallgët e tjera të oqeanit? Çfarë i gjeneron ato? Si udhëtojnë kaq shpejt? Dhe pse janë kaq shumë shkatërruese? Shumica e dallgëve gjenerohen nga era që fryn mbi sipërfaqen e oqeanit, duke e transferuar energjinë dhe duke e zhvendosur ujin.

Ky proces krijon dallgët që shihni çdo ditë në plazh. Cunami krijohet nga një mekanizëm krejtësisht i ndryshëm. Kur një tërmet nënujor, shpërthim vullkanik apo një rrëshqitje dheu zhvendos një sasi të madhe uji, ajo energji duhet të shkojë diku. Ndaj gjeneron një sërë dallgësh.

Por në dallim dallgët e krijuara dhe drejtuara nga era, ku energjia kufizohet në shtresën e sipërme të oqeanit, energjia e dallgëve të cunamit, shtrihet në të gjithë thellësinë e oqeanit. Për më tepër, shumë më tepër ujë zhvendoset në një cunami, sesa me një dallgë të drejtuar nga era.

Tërmetet mund të zhvendosin lehtësisht sasi të mëdha uji, dhe të shkaktojnë një cunami të rrezikshëm. E njëjta gjë vlen edhe për rrëshqitjet e mëdha nënujore. Në rastin e cunamit të Tonga, shpërthimi masiv i vullkanit e zhvendosi ujin.

Disa shkencëtarë po spekulojnë se shpërthimi vullkanik, shkaktoi gjithashtu edhe një rrëshqitje nënujore, që kontribuoi në sasinë e madhe të ujit të zhvendosur. Studimet e ardhshme, do të ndihmojnë në konfirmimin nëse kjo është e vërtetë apo jo.

Për shkak se energjia në valët e cunamit arrin deri në fund të oqeanit, është thellësia e dyshemesë së detit, faktori kryesor që përcakton shpejtësinë e lëvizjes së tyre. Llogaritja e shpejtësisë së një cunami është shumë e thjeshtë. Mjafton të shumëzoni thellësinë e oqeanit – mesatarisht 4.000 metra – me gravitetin të vendosur në rrënjë katrore.

Duke bërë këtë, zbuloni një shpejtësi mesatare prej rreth 700 kilometra në orë. Pra shumë më e shpejtë se shpejtësia e dallgëve tipike, të cilat mund të kenë një shpjtësi nga 15-50 km/h. Cunami i 15 janarit goditi Santa Kruzin në Kaliforni,12 orë e 12 minuta pas shpërthimit fillestar në Tonga. Santa Kruz ndodhet 8.528 kilometra larg nga Tonga, gjë që do të thotë se cunami udhëtoi me një shpejtësi 697 km/h, pra gati identik me vlerësimin e shpejtësisë të llogaritur duke përdorur thellësinë mesatare të oqeanit.

Cunamit janë një dukuri e rrallë në krahasim me dallgët e kudondodhura të shkaktuara nga era. Por shpesh ato janë shumë më shkatërruese. Kështu Cunami i vitit 2004 në Oqeanin Indian vrau 225.000 njerëz. Më shumë se 20.000 njerëz humbën jetën në cunamin që goditi pas tërmetit Japoninë në marsin e vitit 2011.

Po çfarë i bën cunamit shumë më shkatërrues sesa dallgët normale? Në oqeanin e hapur, dallgët e cunamit mund të jenë të vogla, dhe madje mund të mos pikasen nga njerëzit në një varkë në sipërfaqe. Por kur cunami i afrohet tokës, oqeani bëhet gradualisht më i cekët dhe e gjithë energjia e dallgës që shtrihej mijëra metra deri në fund të oqeanit të thellë nis të kompresohet.

Uji i zhvendosur duhet të shkojë diku, dhe i vetmi vend është më lart, ndaj dallgët bëhen gjithnjë e më të larta ndërsa i afrohen bregut. Kur cunami dalin në breg, ato shpesh nuk ngrihen dhe përthyhen si një dallgë tipike oqeanike.

Përkundrazi ato janë më shumë si një “mur” i madh uji që mund të përmbytë territorin afër bregut. Duket sikur niveli i detit rritet papritmas me disa metra. Kjo mund të shkaktojë përmbytje dhe rryma shumë të forta që mund të zhvendosin me lehtësi njerëzit, makinat dhe ndërtesat.

Fatmirësisht, cunamit janë dukuri të rralla dhe jo aq befasuese sa dikur. Sot ekzistojnë një grup i gjerë sensorësh të presionit të poshtëm, të quajtur bovat DART, që mund të ndiejnë një dallgë cunami.

Ato i japin mundësi agjencive qeveritare të dërgojnë paralajmërime për banorët përpara mbërritjes së cunamit. Nëse jetoni pranë një bregu, sidomos në Oqeanin Paqësor ku ndodhin shumica dërrmuese e cunamit, sigurohuni atë mbërrini sa më parë në pikën më të lartë gjeografike të zonës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat