Po sikur njeriu të jetë krijuar nga alienët?

Speciale

Po sikur njeriu të jetë krijuar nga alienët?

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Po sikur Toka të ketë qenë një laborator i madh, dhe qeniet njerëzore produkti përfundimtar i eksperimenteve evolucionare, të promovuara nga inteligjenca jashtëtokësore të avancuara teknologjikisht? Kjo është ajo që disa njerëz kanë hipotetizuar duke filluar që nga fundi i viteve 1950, bazuar në analizat jo–konvencionale të miteve dhe legjendave të lashta dhe të gjetjeve të pazakonta ose anakronike arkeologjike.

Astronautët e lashtë

Një legjendë? Aspak. Autori më i famshëm i asaj që njihet si teoria e “astronautëve të lashtë”, zvicerani Erik Von Daniken, pretedon se mitet dhe legjendat e së kaluarës më të largët të qytetërimit njerëzor, duhet të interpretohen në një mënyrë me direkte sesa kanë bërë deri mëtani studiues të ndryshëm. 

Sipas Von Daniken, përpjekjet e njeriut për të eksploruar hapësirën na lejojnë të rilexojmë ngjarjet e parahistorisë tonë. Për shembull, pse imazhi i Zotave që zbresin nga parajsa është i pranishëm në mitologjinë e shumicës së qytetërimeve njerëzore?

Zakonisht, interpretimi i studiuesit është i natyrës simbolike (njerëzit e parë, mendonin se natyra, të cilën ata nuk mund ta vinin nën kontrollin e tyre, buronte nga njerëz të ardhur nga qielli, pra nga pafundësia e botës që i rrethonte). 

Megjithatë, sipas studiuesit zviceran dhe disa të tjerëve, nëse alienët me pamje humanoide do të kishin zbritur në planetin tonë në epokat e dikurshme, përshkrimi i kësaj vizite nga jashtëtokësorët do të kishte marrë pikërisht këtë formë.

Tek e fundit, çfarë na kujtojnë vizatimet shkëmbore të burrave të çuditshëm që kanë veshur mbulesa edhe më të çuditshme, si ato që shfaqen në malet Tasili, në Saharanë Algjeriane apo edhe në Itali, në Val Kamonica? Sipas Von Daniken, këta janë pikërisht vizitorë jashtëtokësorë, të pajisur me skafandra, kostume zhytjeje dhe antena, të cilët takuan paraardhësit tanë dhjetëra mijëra vjet më parë

Përshkrimet e “astronautëve të lashtë” mund të shihen gjithashtu në shumë figura të zbuluara së fundmi:nga basorelievi i Majave i ruajtur brenda Tempullit të Mbishkrimeve dhe i njohur si “astronauti i Palenkes”, tek “dogu” japonez i Muzeut Kombëtar të Tokios, që shfaqet i veshur me një kostum hapësinor me helmetë dhe maskë. 

Ato janë “prova” të vizitës në Tokë në kohët parahistorike të vizitorëve jashtëtokësorë. Edhe një zinxhir ari i gjetur në vitin 1891 brenda një blloku qymyri që daton në Epokën e Paleozoikut, sugjeron “vizitën” e lashtë të jashtëtokësorëve. 

Një gjurmë e gjetur në një shtresë gjeologjike të Epokës Kambriane (500 milionë vjet më parë) të kujton shollën e një këpuce të një “njeriut modern” të lashtësisë (në realitet është një gjurmë natyrore mbi shkëmb). 

Madje edhe kafka e një bizoni që daton 70.000 vjet më parë, e ruajtur në Muzeun e Paleontologjisë në Moskë, e cila ka një vrimë të rrumbullakët në ballë, sugjeron se dikush në atë kohë, dilte në gjueti me armë zjarri (në realitet, vrima është shkaktuar nga veprimi i disa parazitëve). 

Por Von Daniken dhe ndjekësit e tij shkojnë më tej. Ata imagjinojnë jo vetëm vizita të mundshme të qytetërimeve jashtëtokësore në planetin tonë, por pretendojnë se vizitorët e lashtë janë në fakt paraardhësit tanë, dhe se shfaqja e Homo Sapiensit në Tokë është rezultat i çiftëzimit dhe eksperimenteve gjenetike mbi hominidët. 

Duke përdorur njohuritë e tyre të avancuara të biologjisë molekulare, jashtëtokësorët vendosën të përshpejtonin evolucionin e njeriut. Pra ata morën disa ekzemplarë të majmunëve më të evoluar që ekzistonin atëherë dhe i përdorën për të krijuar njerëz sipas  imazhit dhe ngjashmërisë së tyre.

Perënditë jashtëtokësore

Argumenti kryesor në mbështetje të kësaj ideje është koha relativisht e shkurtër (gjithsesi 300.000 vjet) që i duhet trurit të Homo sapiens për të arritur një nivel kompleksiteti që nuk është arritur kurrë nga organizmat e tjerë, të cilët kanë ekzistuar gjithashtu për qindra miliona vjet. 

Sipas teorisë e Von Daniken, alienët vendosën rregulla shumë strikte, për të garantuar pastërtinë e racës, duke eliminuar ata që nuk i përmbushnin pritshmëritë e tyre. Dhe nga kjo specie e re e njerëzve ata konsideroheshin si Zota.

Pra e gjithë historia e antikitetit, është në fakt historia e marrëdhënieve midis jashtëtokësorëve dhe njerëzve të lashtë. Pasi ata jetuan për shumë kohë bashkë, ndodhi një shkelje shumë të rënd nga njerëzit e ligjeve të krijuesve të tyre. Miqësia mori fund, dhe jashtëtokësorët i braktisën njerëzit në fatin e tyre dhe u rikthyen në hapësirë.

Ndër të tjera, nga kjo ndarje janë frymëzuar edhe historitë e Adamit dhe Evës në Bibël, apo të Prometeut, heroit grek që vodhi zjarrin nga Perënditë për t’ua dhënë njerëzve. Madje edhe legjenda e Atlantidës, ku një qytetërim shumë i evoluar lulëzoi derisa një katastrofë e madhe shkaktoi zhdukjen e tij, rrëfen të njëjtën histori në formën e një fabule.

Mesopotamia: Një bazë aliene?

Një variant i kësaj teorie, ishte ai i propozuar nga studiuesit azerbajxhanas Zekaria Sitçin, që duke i ri–interpretuar tekstet e lashta sumeriane dhe të Lindjes së Mesme, hipotetizoi se Perënditë e kulturave të Mesopotamisë nuk ishin askush tjetër veçse jashtëtokësorë. 

Alieanët, ose Annunaki në gjuhën sumere, kishin ardhur nga planeti hipotetik Nibiru, që rrotullohet ende rreth Diellit tonë. Mendohet se Annunaki mbërritën në Tokë 450.000 vjet më parë, në kërkim të mineraleve dhe ndoshta arit, për të cilin ata kishin nevojë në planetin e tyre.

Duke qenë se kishin nevojë për shumë materiale, ata vendosën të krijonin krahë pune falas për veten e tyre, duke e modifikuar gjenetikisht Homo Erectus dhe duke e kryqëzuar atë me racën e tyre, duke krijuar kështu Homo Sapiensin. 

Prandaj sumerët themeluan qytetërimin e tyre shumë të përparuar për kohën në Mesopotami, nën udhëheqjen e Annunaki-ve, derisa në vitin 2000 Para Krishtit shpërtheu një luftë bërthamore midis fraksioneve të ndryshme aliene. Sitçin pretendon gjithashtu se shumica e veprave megalitike të shpërndara në mbarë globin janë ndërtuar pikërisht nga Annunaki.

Interpretime subjektive

Sigurisht, këto janë teori shumë magjepsëse, por çfarë mendon për to komuniteti shkencor? “Problemi kryesor me studiues si Von Daniken është se qasja e tyre është tejet subjektive”- thotë Uilliam H.Stibing, profesor i asociuar i historisë në Universitetin Nju Orlins në Luiziana, SHBA.

“Ata kufizohen vetëm në përshkrimin e përshtypjes që marrin nga një fragment i Biblës apo nga një statujë, duke propozuar kështu shumë ide dhe ngritur shumë pikëpyetje. Por menjëherë më pas këto përshtypje trajtohen si fakte të vërtetuara”- shton ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat