Rrefimi: Si më përndiqte Sigurimi, flinin në pemë e avlli për të më ruajtur

Speciale

Rrefimi: Si më përndiqte Sigurimi, flinin në pemë e avlli për të më ruajtur

Nga: Andrea Danglli Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 11:44
Bujar Sala

Edhe pse tashmë kanë kaluar 26 vite nga rënia e sistemit diktatorial, ish- të përndjekurit janë në betejë të vazhdueshme për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me të shkuarën e tyre. Kush i tradhtoi besimin? Pse u dënuan? Cilat ishin rrënjët e komunizmit?

Në një rrëfim të sinqertë për gazetën “TemA”, Bujar Sala, ish – i burgosur politik, tregon historinë e jetës. Në sytë e tij duket se mllefi i grumbulluar gjatë kohës së vështirë të burgut, është zbehur ndjeshëm.

Ajo që vijon të kërkojnë sot edhe pas kaq vitesh është e thjeshtë: Të mësojë se kush ka vendosur për fatin e tij.

“Cili do të më ketë spiunuar? Po nga shokët tanë të burgut ka pasur spiunë? Do të ketë qenë vërtet i përndjekur ky në atë kohë apo ka ardhur si kërpudhë pas 90’-tës?” Këto janë disa nga pyetjet që nge Bujar Sula që në krye të bisedës sonë.

Tiranasi i vjetër sjell një pjesë të detajeve që nga momenti i vendosjes së prangave edhe deri ditën që la qelinë.

“U burgosa për motivin se doja të isha i lirë. Nga aq sa kisha parë dhe dëgjuar prej të parëve, e dija se si jetonte bota dhe se si jetonim ne. Për këtë arsye rreth 2 vite nisa të shkruaj trakte që t’i hapja  sytë njerëzve për t’i treguar se si po mashtrohen nga propaganda. Letrat i hidhja ku të mundja, në autobusë, në stola, përpara kryeministrisë etj. Në fillim, sigurimi e pati të vështirë të binte në gjurmët e mija pasi mendonte se këto trakte i shkruante një njeri me shkollë dhe jo një shofer si puna ime. Kjo nuk zgjati shumë.  Që prej momentit kur agjentët nisën të dyshojnë, nuk kam mundur të fle më kurrë gjumë pasi ata ishin kudo ku isha unë,” rrëfen Bujar Sula.

62- vjeçari sjell në kujtesë përndjekjen që i behej nga punonjësit e sigurimit të cilët e shihnin edhe nga vrima e çelësit.

“Më vjen në mendje kur u zgjova një natë disa ditë përpara arrestimit dhe pashë dy veta mbi një taracë që vëzhgonin apartamentin. Edhe një komshiu im shfaqte sjellje të çuditshme, vështrime dyshuese, lëvizje të çrregullta. Atëherë ndjeva për herë të parë rrezikun dhe prisja momentin e arrestimit. Pas disa ditësh xhipi i sigurimit frenoi para këmbëve dhe më arrestoi në sy të djalit tim të mitur. Nuk e harroj kurrë atë skenë pasi isha duke e ushqyer me disa arra kur ata pamëshirshëm më kapën prej leckash dhe më goditën para të qarave të tij. Kujtoj që momentin e arrestimit një nga shoqëruesit më pyeti egërsisht: Ti je ai që na ke lënë për dy vite të flemë nëpër avlli dhe degë pemësh?” tregon shoferi.

Ai i ka ende të freskëta torturat e burgut pasi siç thotë, i vinë shpesh herë në mendje ulërimat nga dhimbja.

“Unë kam qenë i dobët fizikisht, por kjo nuk i pengoi xhandarët e sistemit të më torturonin barbarisht. Kërkonin të mohoja fenë dhe të thosha rroftë Enver Hoxha. Dhuna e egër  fizike dhe psikologjike e ushtruar mbi mua, më ka lënë disa ditë pa ndjenja. Veç kur jam zgjuar në burgun e Qaf Barite kam marrë vesh se  jam dënuar 4 vjet për agjetacion e propagandë. Dënime që mu shtuan.  Në burg pastaj kishte ndëshkime nga më të llahtarshmet ku në birucë temperaturat shkonin  deri në minus 20 gradë.
Kujtoj se norma e vendosur ishte të mbushja 5 vagonë me mineral cilësor. Kur nuk i mbushja më gjuanin 50  herë në shputat e këmbëve me bishtin e kazmës pasi ata e konsideronin si dëmtim të pushtetit popullor. Ohh Zot, ende e ndjej atë torturë. Masat ishin aq të rrepta sa më 20 maj 1984 të burgosurit u ngritën në revoltë për më tepër liri,” nënvizon ish i përndjekuri.

Por ditët e vështira në burg nuk mjaftuan si ndëshkim për të. Të afërmit tashmë do të duhej të përballeshin me përndjekjen e shtetit si edhe përbuzjen e shoqërisë.

“Menjëherë pas burgosjes sime, përveç meje familja pësoi tërmetin më të madh pasi e privuan nga një sërë të drejtash duke i bërë që të gjithë hamallë krahu. Ish- bashkëshortja më braktisi duke më ndaluar të takoj edhe djalin tim të ndjerë. Janë plagë që nuk dua t’i ngacmoj më shumë sepse më dhembin shumë,” shpjegon 62- vjeçari.

Duke e prekur drejtpërdrejt  në lëkurë sistemin, Bujar Sula  këshillon një studim të mirëfilltë të së shkuarës në mënyrë që të evitohen gabimet e të ardhmes së vendit.

“Unë edhe në burg edhe i lirë jam po njëlloj. Pas viteve 90-të s’kam ndjerë ndryshime që të më bëjnë optimist. Deri sa ne të edukoheminga leksionet  e së shkuarës, unë dhe të tjerë do vazhdojmë  të jemi të përndjekur në vendin tonë,” deklaron Sula.

Me rënien e sistemit diktatorial shoferi i vjetër ka ëndërruar ditë më demokratike, më të lira dhe më të shëndetshme për vendin.

Por edhe pas kaq vitesh, ai ende vazhdon të presë duke përsëritur me vete çdo moment pyetjen: Deri kur? Vallë deri kur?

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat