‘Metropol’ u prezantua në Talia me shfaqjen “GOF”

Teatri

‘Metropol’ u prezantua në Talia me shfaqjen “GOF”

Më: 27 janar 2022 Në ora: 21:30
Shfaqja “GOF”

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, njëra ndër katër shtyllat e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2022” ka vazhduar rrugëtimin e saj me shfaqjen e natës së parafundit, ku në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit erdhi Teatri “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “GOF” të Anton Pashkut, me dramaturgji dhe regji nga Shkëlzen Berisha.

“GOF”, e cilësuar si vepra e parë shqiptare e absurdit, e që në rrafsh formal, stilistik e tipologjik është unike, erdhi sonte për artdashësit gjilanas e më gjerë, duke e pasuruar me konvencione të reja dramaturgjikisht dhe për nga teknikat regjisoriale.

Nën këtë dritë të re dramaturgjike ngjarjet na çojnë në një kasolle malit përpjetë, ku kanë mbetur të ngujuar tre alpinistë, që ishin nisur për të shkuar në Bjeshkët e Nemuna, e që të izoluar nga orteku dhe në përpjekje për të mbushur kohën e pritjes, ata përshkojnë një rrjedhë historike të jetës së shqiptarëve ndër shekuj dhe përplasjeve të mëdha që kanë shoqëruar këtë histori, të ngjarjeve më të mëdha që shqiptarët kanë kaluar e deri më sot.

Mes durimit e mosdurimit të personazheve shfaqen copëza të shkëputura nga fjalimet e Skënderbeut, periudha e pashallëqeve, gjurmë të përpjekjeve për shtet, pjesë nga luftërat me të huajt, moskuptime mes vetes...

Synimi i përgjithshëm ishte që përmes thumbit e ironisë të nxitje reflektim, jo mesazhe. Kjo shfaqje që qëndron nën ombrellën e absurdit, ka ecur në këtë rrugë të re duke u pasuruar edhe me shtresime të satirës, sarkazmës dhe edhe momente surreale e një ngjyrim të zbehtë fizik të burleskës.

Përndryshe, në shfaqjen “Gof” luajtën Amri Hasanlliu, Endrit Ahmetaj, Julian Hurdha.

Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar, pritet të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, prodhim nga “Integra”, ku edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të parapara dhe do të përmbyllet Festivali i sivjetmë i Dramës Shqipe, por jo edhe aktivitetet e “Flakës...”, që do të vazhdojë deri më 31 janar, me Festivalin e muzikës për fëmijë dhe muzikës popullore si dhe Orën e Madhe Letrare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat