Në 29 shtator 2007 u nda nga jeta një prej regjisorëve-autorë të paktë në Shqipëri, Serafin Fanko.
Fanko i kreu studimet në Akademinë e Arteve në Pragë për regji filmi dhe me t’u rikthyer në atdhe, konsolidoi profilin e tij në gjininë e filmit duke ndjekur shkollën e posaçme “Aleksandër Moisiu”.
Fanko dha ndihmesë si regjisor në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, pasi arriti të përcaktojë fizionominë e tij identifikuese.
Ka realizuar rreth 125 shfaqje në teatrot e Shkodrës, Tiranës, Shkupit, Durrësit, Gjakovës, Strugës, Fierit etj. Në tërësinë e veprave të vëna në skenë, Serafin Fanko ka dalluar për trajtimin regjisorial të dramave dhe për kulturën e gjerë skenike, që paraqiste të harmonizuara përbërësit teatrorë. Ky tipar, që e shquante nga bashkëkohësit, shfaqet më së miri në veprat “Fisheku në pajë”, “Këshilli i ndrikullave” dhe “Toka jonë”, që patën jehonë në publik.
Në fund të viteve ’70 themeloi Teatrin Poetik pranë teatrit “Migjeni”. Serafin Fanko ka shkruar 12 drama dhe është fitues i disa çmimeve kombëtare. Në shenjë vlerësimi të veprës së tij, i janë akorduar titujt “Qytetar Nderi i Shkodrës” dhe “Artist i Popullit”.