“Viganët” - shfaqja më e mira e festivalit “Talia e Flakës 2022”

Teatri

“Viganët” - shfaqja më e mira e festivalit “Talia e Flakës 2022”

Më: 29 janar 2022 Në ora: 13:48
“Viganët”

Pasi janë prezantuar shfaqjet pjesëmarrëse në Festivalin e Dramës “Talia e Flakës 2022”, juria e festivalit të Dramës Shqipe, në përbërje Elmaze Nura, regjisore, Arianit Krasniqi, dramaturg e Shkurtë Aliu, regjisore, me vendim unanim ka vendosur që teksti dramatik i Mehmet Krajës, “Aromë hëne” të shpallet më i miri, kurse shfaqja më e mirë - “Viganët” prodhim i Teatrit të Gjilanit.

Juria e festivalit të dramës Shqipe “Talia e Flakës 2022” ka bërë prezantimin e rezultateve të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2022”. Sipas jurisë shfaqja më e mirë ka qenë ajo e trupës teatrale të Teatrit të Qytetit të Gjilanit “Viganët”.

Çmimi kryesor për Dramën Origjinale shqipe, i cili sipas organizatorit është çmimi kryesor i festivalit, me vendim unanim të jurisë i është ndarë autorit Mehmet Kraja, për tekstin dramatik të shfaqjes “Aromë hëne”, ndërsa regjia më e mirë e festivalit i është ndarë regjisorit të shfaqjes nikoqire “Viganët”, Ilir Bokshi.

Aktori më i mirë i festivalit të Dramës “Talia e Flakës 2022” unanimisht nga juria i është akorduar aktorit Adrian Morina për rolin e tij në shfaqjen “Inspektor Limi”, ndërsa çmimi për aktoren më të mirë të këtij edicioni i është ndarë aktores Donikë Ahmeti për rolin e saj në shfaqjen “Aromë hëne”.

Në kuadër të festivalit të Dramës “Talia e flakës 2022” janë dhënë edhe çmimet për rol dytësor në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave. Çmimin kryesor për rol dytësorë në konkurrencën e meshkujve, juria vlerësuese e festivalit ka vendosur t’ia ndajë aktorit Endrit Ahmetaj, për paraqitjen e tij të veçantë në shfaqjen “Gof” nga Trupa e Teatrit “Metropol” nga Tirana, kurse çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor, sipas kritereve të jurisë e ka fituar Daniela Markaj nga shfaqja “Inspektor Limi”.

Në kuadër të festivalit të edicionit “Talia e Flakës 2022” janë ndarë edhe çmimet për skenografi e kostumografi, si tendencë kontinuele për të stimuluar vazhdimësinë e prezantimeve skenike e skenografike në kontinuitetin e festivalit dhe mbarë manifestimit.

Skenografia më e mirë sipas jurisë ishte ajo e shfaqjes “Viganët”, e cila mbanë “vulën” e dëshmuar tashmë të mjeshtrit të skenografisë Bekim Korça, kurse Vesa Kraja është fituese sipas jurisë vlerësuese për kostumografinë e shfaqjes “Viganët”.

Ndarja e çmimeve të festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2022” ka shënuar fundin e edicionit të këtij viti të festivalit, ndërsa Manifestimi “Flaka e Janarit 2022”, gjatë ditëve të në vijim vazhdon me kalendarin e paraparë me laryshi aktivitetesh kulturore, me ‘Ora e Madhe Letrae’ dhe ndarja e çmimeve për tregim të shkurtë e pozi në konkursin anonim letrar, si dhe me dy koncertet muzikore të ditës së fundit, atë për fëmijë “Xixat e Flakës” dhe festivalin tradicional muzikor “Fest Flaka 2022”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat