Tiranë, procedurat që duhet të ndjekin banorët për depozitat

Tirana

Tiranë, procedurat që duhet të ndjekin banorët për depozitat

Më: 22 dhjetor 2019 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Do të jenë vetë banorët që, ashtu siç i kanë vendosur dikur depozitat vetjake në tarracën e pallatit, po njësoj, do t’i zbresin poshtë.

Gjithë çka ofron bashkia, është leja e shpejtë për një territor të posaçëm, qoftë parking apo minilulishte pallati, për t’i zhvendosur aty, me qëllim që uji në çezma të mos mungojë, por edhe jeta e banorëve të mos rrezikohet.

Kjo është porosia e qartë e kreut të bashkisë, Erion Veliajt, dje në mbledhjen me administratorët e pallateve, të cilët, së bashku me banorët, duhet të kryejnë heqjen e depozitave.

SFIDA ME UJIN 

I ndërgjegjshëm për nismën e marrë për heqjen e një rreziku nga njëra anë dhe hapjen e një problemi jetik si uji, numri 1 i bashkisë thotë se banorët nuk janë lënë pa alternativë.

“Ne kemi aplikuar një procedurë të përshpejtuar për dhënien e lejes për ata që do t’i ulin depozitat poshtë. Në disa vende, do sakrifikojmë një vend parkimi, ose ndoshta një minilulishte, ose ngjitur me shkallën e pallatit, ku thjesht do ulin depozitat dhe me mirëkuptim, administratori ka arritur të bëjë një shkallë bashkë për një depozitë më të madhe, që mund ta lëmë mbi tokë ose nën tokë. Jam shumë i ndërgjegjshëm që do jetë nevoja për depozita. E vetmja gjë që do bëjmë, është që do t’i ulim poshtë. Shumica prej këtyre pallateve gjithsesi e kanë pompën për mbushjen e depozitave lart. Tani na duhet vetëm për tërheqjen nga depozita, që tashmë do jetë poshtë, drejt shtëpive të gjithsecilit”. 

Përveç pallateve me banorë te evakuuar, në të gjitha pallatet e tjera që i rezistuan tërmetit të 26 nëntorit, të gjithë këtë procedurë duhet ta kryejnë banorët në bashkëpunim me administratorin. Për ta kuptuar rrezikun e vërtetë të depozitave personale mbi tarracë, Veliaj solli edhe fakte.

“Sipas inxhinierëve, 6 depozita të mbushura me ujë janë sa një shtesë kati pa leje mbi pallat. Kjo është arsyeja pse po ndërhyjmë fillimisht në këto pallate, përpara se të vendoset nëse do të përforcohen apo nëse do të prishen, pas një studimi të thelluar”, sqaroi Veliaj. 

Administratorëve dhe banorëve u është lënë afat data 30 janar për gjetjen e venddepozitave, si dhe pajisen me raportin e hartuar nga inxhinierët mbi konstruksionin mbajtës të tarracave, që lejon rivendosjen e tyre aty ku ishin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat