Kombëtarja A e Kosovës në volejboll (meshkujt) ka nisur përgatitjet për vazhdimin e kualifikimeve për CEV EuroVolley 2026, me grumbullimin e parë zyrtar nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar, malazezit Darko Prebiraçeviç.
Seanca e parë stërvitore u mbajt në sallën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë, ku atmosferën e punës e përçuan nga afër edhe presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, si dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikçi.
"Për Prebiraçeviçin, ky grumbullim shënon fillimin e një kapitulli të ri në udhëheqjen e Kombëtares A, me synim përgatitjen sa më të mirë për sfidat që e presin Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ndeshja e radhës për Kosovën në kuadër të kualifikimeve për CEV EuroVolley 2026 do të zhvillohet më 9 gusht 2025, ku “Dardanët” do të presin Sllovakinë në Pallatin e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj.
Kjo do të jetë ndeshja e tretë për Kosovën në këto kualifikime, pas dy sfidave të zhvilluara gjatë verës së vitit 2024 ndaj Letonisë dhe Sllovakisë.
Federata e Volejbollit e Kosovës dhe stafi i ri teknik mbeten të përkushtuar për ta ngritur nivelin e performancës së përfaqësueses dhe për të përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën evropiane", thuhet në njoftim të FVK-së..