Klubi i Volejbollit Prishtina 75, njëri ndër klubet me traditë në volejbollin e Kosovës, vazhdon aktivitetin në Superligën e Kosovës, duke synuar rezultate të reja sportive dhe zhvillimin e gjeneratave të reja. I themeluar në vitin 1975, klubi ka një histori të pasur suksesesh, por funksionimi i tij përfshin edhe sfida në organizim, financim dhe sigurimin e kushteve të nevojshme për punë.
Përveç aspektit financiar dhe organizativ, një ndër sfidat kryesore mbetet infrastruktura sportive në Prishtinë. Mungesa e sallave dhe vështirësitë për të siguruar termine për stërvitje e ndeshje ndikojnë në punën e përditshme të klubit.
Drejtori i klubit, Naser Kransiqi, në një intervistë për KosovaPress, thekson se mungesa e infrastrukturës sportive mbetet një nga sfidat kryesore për klubet në Prishtinë.
Krasniqi: Me vite kemi ngritur zërin për mungesë të infrastrukturës
“Sfidat më të mëdha për krejt sportet jo vetëm për sportin e Prishtinës në Prishtinë, po për të gjitha klubet që jemi në Prishtinë është infrastruktura sportive. Ne me vite tona kemi ngritur zërin për mungesë të infrastrukturës”, tregon Kransiqi.
Problemet me infrastrukturën i konfirmon edhe lojtarja Lyra Pireva, e cila thekson se mungesa e sallave po ia vështirëson klubit organizimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Pireva: Kushtet që ne i zhvillojmë ndeshjet janë të vështira
“Kushtet që ne i zhvillojmë ndeshjet janë të vështira, duke e marrë parasysh që kemi mungesë të sallave. Në qytetin e Prishtinës ka shumë sporte dhe kemi shumë ekipe, dhe për këtë arsye shpesh na ndodh që nuk kemi termin për me e zhvilluar ndeshjen. Po e mira është që në Prishtinë i kemi sallat me ngrohje, ndryshe prej sallave sportive në qytetet e tjera. Po prapë mund me thënë që kushtet duhet me u përmirësuar nëse dojmë me rritur edhe cilësinë edhe nivelin e volejbollit edhe të gjitha sporteve në Kosovë”, tha Pireva.
Përveç infrastrukturës, sfidë për klubin mbetet edhe menaxhimi i ekipit, përfshirë lëndimet dhe planifikimin e sezonit. Ndihmëstrajneri Kaan Maksut thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet kryesisë, trajnerëve dhe stafit për tejkalimin e këtyre sfidave.
Maksut: Ndonjëherë nuk mund të gjejmë salla të lira për t’i zhvilluar ndeshjet.
“Normalisht që sfidat janë të shumta, edhe probleme normalisht që kemi shumë. Së pari, problemet janë me sallat tona, që ndonjëherë nuk mundemi me gjetur salla të lira për me zhvilluar lojë apo stërvitje. Por tashmë jemi edhe me sponsorin AAB, kështu që stërvitjet i mbajmë te Kolegji AAB. Por normalisht që përveç kësaj, janë edhe problemet me lojtarët: ndonjëherë lojtarët lëndohen, por duhet me u munduar për ata me bërë një vend pune sa më të lehtë për ta, që me kaluar sezonin mirë. Por përndryshe, normal që janë edhe disa probleme të tjera, por po mundohemi si ekip bashkë, duke planifikuar me kryesinë, me trajnerët e me stafin e klubit, që sa më pak me u ankuar edhe me punuar më shumë”, tha ai.
Ndërkohë, integrimi i lojtareve të huaja është një tjetër aspekt i rëndësishëm i funksionimit të klubit. Lojtarja Don’yah Cosie vlerëson pritjen dhe mbështetjen e ekipit, të cilat e kanë ndihmuar të përshtatet me mjedisin e ri.
Cosie: Te KV AAB Prishtina 75 jam ndier e mirëpritur dhe e mbështetur
“Takimi me vajzat, madje edhe me stafin e trajnerëve, më ka bërë të ndihem shumë komode. Dhe duke ardhur kaq larg nga shtëpia, pak a shumë nuk e dija se çfarë të prisja, veçanërisht duke mos ditur fare si p.sh. “Përshëndetje” e dini? Di pak shqip, por natyrisht jo mjaftueshëm për t’ia dalë e vetme. Kështu që gjithkush këtu më ka bërë të ndihem shumë komode dhe i vlerësoj vërtet shumë për gjithçka që më kanë mësuar deri tani”, shtoi Cosie.
Edhe volejbollistja Kennedy Prince vlerëson atmosferën brenda ekipit dhe mbështetjen që merr nga trajnerët dhe bashkëlojtaret, duke e cilësuar përvojën e saj në klub si shumë pozitive.
Prince: Te KV AAB Prishtina 75 po kaloj një përvojë të shkëlqyer
“Ndihem shumë e kujdesur dhe shumë e mbështetur në përgjithësi nga të dy: si nga trajnerët, ashtu edhe nga vajzat. Po kaloj një përvojë vërtet të shkëlqyer, nuk kam absolutisht asnjë ankesë”, përfundoi Prince.
Me 20 trofe të fituar që nga themelimi më 1975, përfshirë tetë tituj kampioni, nëntë Kupa të Kosovës dhe tri Superkupa, klubi synon të rikthehet në majën e volejbollit kosovar.