Kryetrajneri i Dritës së Gjilanit, Lorik Ilazi, është i kënaqur me paraqitjen e vashave në ditën e djeshme, në ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike për klube në volejboll.
Drita e mposhti me rezultat 3:1 ekipin nga Maqedonia e Veriut, Nakovski Volley, duke e nisur në mënyrën më të mirë garën në Strumicë.
Ilazi vlerëson paraqitjen e skuadrës, por tashmë e pret një sfidë shumë më e vështirë ndaj Olympiakosit të Greqisë.
“Arma jonë më e fortë ishte mbrojtja e organizuar dhe loja më e kujdesshme në sulm.
Nakovski Volley na vuri në vështirësi me shërbim të fuqishëm dhe mbrojtje shumë të fortë gjatë gjithë ndeshjes. Në setin e parë përfitoi nga gabimet tona, si në pranimin e topit të parë, ashtu edhe në sulm.
Megjithatë, pas atij seti ekipi reagoi mirë, tregoi më shumë përqendrim dhe bëri zgjedhje më të mira në sulm. Kjo na mundësoi të fitonim tri sete radhazi dhe ta nisnim turneun me fitore”, tha përgazetën kombëtare “Bota sot”.
Ilazi beson e shpreson se edhe sot do të tregojnë lojë të miirë (17.00) dhe pret lojë të fortë ndaj Olympiakosit nga Greqia.,
“Sot ndaj Olympiakosit na pret një përballje shumë e fortë.
Për mendimin tim, kampionati grek është ndër dhjetë kampionatet më të forta në botë, ndërsa Olympiakosi është një nga klubet kryesore të Greqisë, me shumë tituj dhe përvojë të madhe në garat evropiane”, shprehet Ilazi.
Ilazi tha se nuk janë në formën më të mirë: “Ne ende nuk jemi në formën tonë më të mirë.
Ekipi ka ndryshuar pothuajse tërësisht nga sezoni i kaluar; në përbërjen bazë ka mbetur vetëm liberoja Prenga.
Këto ndryshime kërkojnë kohë për të krijuar lidhjen dhe koordinimin e duhur mes lojtareve
. Megjithatë, po përparojmë çdo ditë dhe po punojmë për të arritur formën tonë më të mirë.
E dimë çfarë na pret, por do të japim maksimumin, do të luftojmë për çdo pikë dhe nuk do të dorëzohemi deri në pikën e fundit”.