Caden Phillips, bllokuesi nga Arizona që po udhëheq SHBA-në

Volejboll

Caden Phillips, bllokuesi nga Arizona që po udhëheq SHBA-në

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 16:43
Amerikani Caden Phillips dhe Gavin Mortensen luajnë së bashku si dyshe që nga klasa e gjashtë

Caden Phillips është një volejbollist i veçantë. Ai shquhet për shpejtësinë e jashtëzakonshme pranë rrjetës dhe në kalimet nga mbrojtja në sulm, duke u bërë një nga lojtarët më të spikatur të përfaqësueses së SHBA-së në Lojërat Olimpike Rinore Dakar 2026.

Phillips është një bllokues i shkëlqyeshëm, ndërsa partneri i tij, Gavin Mortensen, shquhet si mbrojtës. Të dy përshtaten në mënyrë të përkryer në fushë. Megjithatë, për Phillipsin, lidhja mes tyre shkon përtej roleve që kanë në lojë.

:Është shumë bukur të kesh një mik kaq të afërt si partner. Gjithçka bëhet më e lehtë, sepse jemi rritur shumë së bashku dhe kemi të njëjtin mendim për shumë gjëra.

Kemi ide të ngjashme për mënyrën se si duam ta luajmë këtë sport dhe kjo është e mrekullueshme kur ke një partner të tillë”, ka thënë Phillips për “FIVB”.

Edhe Mortensen ndan të njëjtin mendim, duke vënë në pah vitet që kanë kaluar së bashku dhe mirëkuptimin e ndërtuar mes tyre.

“Kemi luajtur së bashku që nga klasa e gjashtë, prandaj ndër vite kemi ndërtuar besim dhe një lidhje të fortë mes nesh.

Kjo ka shumë rëndësi në volejbollin e plazhit”, është shprehur Mortensen për partnerin e tij.

Kjo lidhje mes tyre po përkthehet gjithnjë e më shumë në rezultate.

Dyshja u prezantua në mënyrë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare këtë vit, duke fituar në prill Kampionatin Botëror të Volejbollit të Plazhit për grupmoshën U18 të NORCECA-s. Në korrik, ata arritën deri në fazën e 16-shes më të mirë në Kampionatin Botëror U18 të FIVB-së, të mbajtur në Hagë.

Për Phillipsin, Dakar 2026 përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në një vit që ka shënuar ngritjen e tij sportive.

“Jam pjesë e programit zhvillimor të SHBA-së prej gati një viti, por këtë vit për herë të parë u përzgjodhëm për ekipin kombëtar. Ka qenë një vit emocionues dhe ndihem krenar që kam sërish mundësinë ta përfaqësoj vendin tim”, ka deklaruar ai.

Përvoja e tij në Dakar 2026 ka qenë veçanërisht e veçantë. Phillips ishte njëri nga bartësit e flamurit të SHBA-së gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave, një nder që e kishte befasuar edhe vetë atë.

“Nuk e prisja këtë, por ishte një përvojë e pabesueshme. Isha shumë i emocionuar dhe, pa dyshim, ky është momenti për të cilin jam më krenar si sportist i SHBA-së, sepse jo shumë njerëz përzgjidhen për një nder të tillë”, ka rrëfyer ai.

Amerikani Caden Phillips në aksion kundër Turqisë, gjatë ndeshjes së fazës së 16-shes më të mirë në Lojërat Olimpike Rinore Dakar 2026.

Në fushë, sfida ka qenë po aq emocionuese. Në fazën kryesore të garave në Dakar 2026 morën pjesë emra të mëdhenj, përfshirë kampionët në fuqi të botës për grupmoshën U18, gjermanët Lasse Hüper dhe Filo Wüst.

Megjithatë, Phillips nuk ndihet i frikësuar nga niveli i kundërshtarëve. Përkundrazi, ai e sheh këtë garë si një mundësi për të matur forcat me më të mirët.

“SHBA-ja është një fuqi e madhe në volejbollin e plazhit, prandaj kemi përgjegjësi të mëdha. Duam të japim më të mirën dhe të tregojmë aftësitë tona. Besoj se kemi potencialin për të arritur deri në finale. Shpresojmë të mposhtim disa skuadra të mëdha gjatë rrugës”, është shprehur me besim Phillips.

Kushtet në vendin e zhvillimit të garave, në plazhin Saly Beach West, kanë paraqitur sfida të veçanta.

Temperaturat e larta dhe lagështia kanë vënë në provë qëndrueshmërinë fizike të garuesve.

Për Phillipsin, përshtatja nuk ka qenë edhe aq e vështirë. Duke qenë se është rritur në Arizona, ai është mësuar të luajë në temperatura të larta, ndonëse lagështia në Senegal paraqet një ndryshim të rëndësishëm.
“Na ka ndikuar vetëm pak. Të dy vijmë nga Arizona, ku është shumë nxehtë. Dallimi është se atje nxehtësia është e thatë, ndërsa këtu ka më shumë lagështi. Megjithatë, po ia dalim mirë”, ka shpjeguar 16-vjeçari.

Përtej garave, qëndrimi në Dakar i ka dhënë Phillipsit edhe mundësinë e parë për të vizituar Afrikën. Amerikani i ri është mahnitur nga mikpritja e njerëzve në Senegal dhe atmosfera që mbizotëron gjatë Lojërave.

“Kjo është hera ime e parë në Afrikë dhe më pëlqejnë shumë njerëzit këtu. Të gjithë janë jashtëzakonisht të sjellshëm me ne. Është shumë bukur të shohësh kulturën dhe mjedisin e larmishëm. Është e jashtëzakonshme të shohësh se si të gjithë po festojnë këtë ngjarje të madhe”, ka thënë me entuziazëm Phillips.

Për një sportist të ri, rrugëtimi i të cilit nisi me prova në disa sporte të ndryshme, volejbolli i plazhit tashmë është shndërruar në shumë më tepër se një sport i zakonshëm. Ai e sheh të ardhmen e tij në rërë edhe pas Dakar 2026 dhe nuk e përjashton mundësinë që një ditë të merret me volejbollin e plazhit në nivel profesionist.

“Kur isha më i vogël, provova shumë sporte. Luajta bejsboll, futboll amerikan dhe futboll, por volejbollin e plazhit e dashurova që nga momenti kur e provova në klasën e gjashtë.

Edhe motra ime e madhe luante volejboll plazhi, por vetëm në nivel klubesh, dhe pikërisht ajo më shtyu të merresha me këtë sport. Dëshira ime për konkurrim më ka mbajtur në këtë sport, ndërsa tani edhe motrat dhe vëllezërit e tjerë kanë filluar ta praktikojnë.

Prandaj, unë do të vazhdoj. Është një sport që të krijon varësi dhe, pa dyshim, më i miri nga të gjithë”, - ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat