Pogradeci bën detyrën kundër Vllaznisë në debutim

Volejboll

Pogradeci bën detyrën kundër Vllaznisë në debutim

Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 12:45
Klubi i volejbollit Pogradeci

Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka nisur dje edicionin 2026-2027, me takimin ndërmjet Pogradecit dhe Vllaznisë, i vlefshëm për javën e parë në Grupin A. Një përballje që rezultoi formalitet për pogradecaret, të cilat përveçse kampione në fuqi, vijnë gjitashtu edhe si fituese të Kupës nga sezoni i kaluar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Besnik Lisha triumfoi me rezultatin e pastër 3-0, pas një sfide që zgjati vetëm 53 minuta. Siç edhe pritej, diferencat në parket mes dy ekipeve ishin të mëdha, skuadra të ndërtuara për objektiva krejt të ndryshme, me Pogradecin që luan për të fituar çdo kompeticion, ndërsa vajzat kuqeblu kërkojnë të mbijetojnë në elitë.

Vllaznia befasoi në pikët e para, por vendëset vendosën shumë shpejt diktatin, për ta fituar setin e parë në shifrat 25- 15. I dyti nuk kishte histori, pasi Pogradeci dominoi që nga fillimi, duke fituar 25-9.

Edhe në setin e tretë, vajzat e Pogradecit treguan forcën e tyre, duke e marrë thellë me rezultatin 25-8, për të mbyllur llogaritë dhe koleksionuar kështu 3 pikët e para në Kupë. Takimi tjetër i Grupit A, ai mes Partizanit dhe Teutës, do të luhet të shtunën në orën 18:30 në “Asllan Rusi”. Të shtunën do të zhvillohen gjithashtu edhe dy ndeshjet e Grupit B, Tirana -Lushnja, në orën 15:00 në “Farie Hoti” dhe Skënderbeu-Dinamo, në orën 18:00 në Korçë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat