Volejbollistet e Dritës së Gjilanit e nisën me këmbë të mbarë garën në BVA Balkan Cup.
Vashat nga Gjilani shënuan fitore me rezultat 3:1 (25:20, 25:15, 20:25, 25:20) kundër Nakovski Volley.
Dy setet e para ishin në dominim të fitueses së Kupës së Kosovës.
Setin e parë Drita e fitoi me rezultat 25:20.
Në setin e dytë, trajneri Lorik Ilazi dha këshilla lojtareve të tij, të cilat rezultuan edhe me një dominim më bindës në lojë dhe rezultat.
Drita e fitoi këtë set me rezultat 25:15.
Seti i tretë i takoi ekipit nga Maqedonia e Veriut, i cili fitoi me rezultat 20:25.
Seti i katërt ishte me drithërima, por vashat e Lorik Ilazit treguan angazhim e cilësi ndaj rivaleve. Nuk lejuan befasi për asnjë moment, duke fituar setin me rezultat 25:20 dhe ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 3:1.
Start me rezultat të mirë për ekipin e Dritës në garën që po zhvillohet në Strumicë të Maqedonisë së Veriut.
Në ditën e dytë, 7 tetor, në ora 17:00, Drita do të ballafaqohet me Olympiacosin e Greqisë.
Duhet theksuar se fituesi i kësaj gare përballet me Benficën e Portugalisë në Challenge Cup.