Punë, disiplinë, harmoni dhe rezultate fantastike – ky është bilanci i klubit të volejbollit Prishtina F në stinorin vjeshtor të Ligës së Parë të Kosovës - Grupi i Perëndimit.
Është fjala për klubin e volejbollit Prishtina F, klubin më të vjetër në kryeqytet, i cili po kalon një stinor të jashtëzakonshëm.
Volejbollistet e reja dhe të talentuara prishtinase zhvilluan paraqitje të shkëlqyeshme, duke arritur nëntë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.
Kështu, Prishtina F u stolis me titullin e kampiones vjeshtore.
Skuadra prishtinase e përfundoi pjesën e parë të kampionatit në vendin e parë me 27 pikë, gjashtë më shumë se Gjinoci, që renditet në pozitën e dytë.
Puna e madhe e trajneres Hadije Rama dha rezultate mahnitëse, madje edhe të lakmuara nga shumë klube.
Rama theksoi se puna dhe disiplina janë armët më të forta të suksesit. Ajo bëri të ditur se 70 për qind e lojtareve janë të reja, të moshës 12-vjeçare, ndërsa volejbollistet e talentuara Anika Lushtaku dhe Arta Sherifi janë vetëm 14 vjeçe.
Kjo seri prej nëntë fitoresh radhazi dhe grumbullimi i të gjitha 27 pikëve të mundshme dëshmojnë për punën e madhe që po bëhet në këtë klub me volejbollistet e reja, nën drejtimin e kryetares së klubit, Ganimete Gërbovci.
Prishtina F po dëshmon se puna me gjeneratat e reja, disiplina dhe përkushtimi janë çelësi i suksesit.
Lista e volejbollisteve.
Anisa Sejdiu, Shkurta Jusufi, Rea Kurti, Rahime Maliqi - kapitene, Arjesa Sahiti, Lisa Zaimi, Dea Maliqi, Sindi Shillova, Arta Sherifi, Anika Lushtaku, Majda Osmani dhe Ana Ramadani.