Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka nisur të premten javën e dytë me përballjen ndërmjet Elbasanit dhe Studentit. Një ndeshje që nuk dhuroi surpriza, pasi skuadra kryeqytetase nuk e kishte aspak të vështirë për të siguruar tri pikët.
Studenti triumfoi me rezultatin e pastër 0-3, duke i mbyllur llogaritë për 64 minuta në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Kryeqytetasit, të drejtuar nga trajneri Kestrin Batalli, ishin superiorë në tria setet, përballë një Elbasani të pafuqishëm për të mbajtur ritmin. Megjithatë, takimi nisi në mënyrë interesante, me vendësit që provuan të befasonin, duke realizuar 3 pikët e para dhe duke kryesuar deri në shifrat 13-12.
Por, më pas miqtë reaguan menjëherë dhe vendosën distancat, për ta fituar setin 17-25. I ngjashëm ishte edhe i dyti, i mbyllur me shifrat e njëjta 17-25. Në të setin e tretë,
Elbasani befasoi me 5 pikët e para radhazi, por më pas Studenti “ndezi motorët” dhe shpërtheu në pikë të njëpasnjëshme, duke e marrë setin 13-25, për të futur në kasafortë suksesin e dytë në kampionat, duke u ngjitur tashmë në krye me 6 pikë.
Java e dytë do të kompletohet sot me ndeshjet Skënderbeu-Vllaznia në orën 12:00 në Korçë dhe Tirana-Erzeni në orën 19:00 në “Farie Hoti”. Për bardheblutë ky do të jetë debutimi në kampionat, duke qenë se në javën e parë skuadra e Arben Sakos kishte qëndruar pushim.