Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra është gati për sfidën e rradhës në kuadër të CEV European League 2026, ku të dielën mbrëma do të përballet me Portugalinë në turneun kualifikues që po mbahet në Larisa të Greqisë.
“Pas përgatitjeve intensive dhe mbërritjes në Greqi, volejbollistet tona synojnë të nisin garën me paraqitje dinjitoze ndaj një kundërshtari me përvojë të konsiderueshme në arenën evropiane.
Portugalia konsiderohet favorite në letër, por Kosova udhëton me besim, motiv të lartë dhe dëshirë për të dëshmuar progresin e vazhdueshëm të ekipit.
Nën drejtimin e stafit teknik, vajzat dardane do të kërkojnë të shfaqin disiplinë, energji dhe shpirt luftarak në çdo pikë, duke e parë këtë garë si një mundësi të rëndësishme për fitimin e përvojës ndërkombëtare dhe ngritjen e nivelit të volejbollit kosovar.
Ndeshja zhvillohet më 14 qershor 2026, me fillim nga ora 20:00, në Neapolis National Sports Hall në Larisa”, ka njoftuar FVK.