Deputeti i LDK-së: PDK-ja e ka për obligim të bëhet pjesë e Qeverisë

Aktuale

Deputeti i LDK-së: PDK-ja e ka për obligim të bëhet pjesë e Qeverisë

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 22:35
Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj

Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, është i mendimit që partitë politike, pozitë dhe opozitë, duhet të mos e lënë vendin të bie në një krizë institucionale për çështjen e presidentit, prandaj thotë se PDK-ja është e obliguar që të përfshihet në Qeverinë Hoti.

“Presidentin e kemi për detyrë që të gjitha forcat politike parlamentare të ulemi dhe ta zgjedhim. Mënyra se si është ndërtuar Kushtetua e vendit tonë ka përcaktuar që të ketë një konsensus të gjerë dhe krahas marrëveshjes për presidentin duhet të shikojmë edhe një marrëveshje më gjithëpërfshirëse ku garantojmë edhe një stabilitet qeverisës të vendit tonë. Nëse ne jemi para këtyre sfidave PDK-ja duhet ta ketë rolin e vet, po ashtu mendoj që duhet ta ketë edhe Vetëvendosja por ata tashmë janë barrikaduar që dëshirojnë të shkojnë menjëherë në zgjedhje. Dhe PDK-ja e ka për obligim jo vetëm të jetë pjesë e marrëveshjes për presidentin, por edhe të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës. Pra, e kanë obligim nëse dëshirojnë që të ketë stabilitet në këtë fazë”.

“Secili subjekt politik parlamentar duhet të jetë i matur në këto kohë të vështira. Vendi po përballet me pandeminë, çështjet ekonomike, arrestimet e Speciales, dialogun. Kemi hyrë në një proces edhe politik edhe kushtetues për zgjedhjen e presidentit”.

“I takon liderëve të partive, liderit tonë Isa Mustafa, që t’i ftojë të gjitha subjektet politike parlamentare. Ka pasë deklarime që ka pasë biseda në mes të partive edhe para se Thaçi të dorëhiqej. Është momenti që të nisin bisedat në mes forcave politike sepse afatet po rrjedhin”.

Manaj në Rubikon ka thënë se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje nëse s’arrihet bashkëpunimi.

“Nëse nuk arrijmë të merremi vesh deri në fillim të shkurtit, duhet të ulemi dhe të dakordohemi për datën e zgjedhjeve. Mendojmë që nuk është momenti i pozicionimeve partiake. Nuk është mirë prej asnjë subjekti që në këtë fazë të japim propozime”.

Manaj beson se zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë zgjidhje dhe thotë se këtë duhet ta ketë parasysh edhe Vetëvendosja, për të cilën tha se është barrikaduar për zgjedhje.

“Është vështirë të formohet një shumicë parlamentare. Do të vijmë në një momentum kur vendi do të jetë në krizë institucionale dhe kushtetuese dhe këtë duhet ta dijë secila parti. Këto që po kalojmë janë sfidat më të mëdha që i ka pasë vendi që nga viti 1999 dhe nuk duhet ne t’i krijojmë krizë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat