Kujtesa kolektive e varur nga rikrijimi i një instituti

Aktuale

Kujtesa kolektive e varur nga rikrijimi i një instituti

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 12:57
Memoriali i të vrarëve në fshatin Marinë të Skenderajt. Foto nga arkivi.

Një institut, i cili do t’i hulumtonte, do t’i dokumentonte dhe arkivonte krimet e luftës, sidomos ato që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, do të hapte rrugën e krijimit të kujtesës kolektive, vlerëson, Nora Ahmetaj, hulumtuese e drejtësisë tranzicionale.

Qeveria e Kosovës, më 7 dhjetor, ka mbështetur propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, për krijimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ministri Selimi thotë që pikërisht për ruajtjen e kujtesës kolektive, ky institut duhet të formohet.

Siç është thënë paraprakisht, për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, do të krijohet një grup punues, anëtarët e të cilit do t’i caktojë ministri i Drejtësisë.

Krijimi i kujtesës kolektive "obligim ndaj gjeneratave të ardhshme"

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Grupi punues do të bëjë përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Mandati i këtij grupi, me theks të veçantë, është që të ofrojë një analizë/studim të argumentuar mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Gjithashtu, të identifikojë praktikat me të mira krahasuese dhe të pasqyrojë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”, tha Selimi.

Megjithatë, ministri Selimi nuk e ka specifikuar se sa do të zgjasin procedurat deri te krijim i Institutit.

Nora Ahmetaj, hulumtuese e drejtësisë tranzicionale, thotë për Radion Evropa e Lirë që krijimi i kujtesës kolektive lidhur me ato që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, përmes dokumentimit të krimeve të luftës dhe arkivimi i tyre, është gjithsesi obligim, jo vetëm institucional, por i gjithë shoqërisë.

“Ne e kemi obligim ndaj gjeneratave të ardhshme që ta kemi një data-bazë, me fakte të dokumentuara mirë për të kaluarën. Mirëpo, ai dokumentim duhet të reflektojë të vërtetën, të jetë e hulumtuar mirë dhe të jetë e vlerësuar si e mirëqenë prej institucioneve relevante. Vlerësimin mund ta bëjnë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet akademike, të cilat ofrojnë metodologji shkencore se si të bëhet dokumentimi i të kaluarës”, theksoi Ahmeti.

Sipas saj, nisma për, siç e quan ajo, rikrijimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, sado që të jetë hap i vonshëm, është shumë i domosdoshëm.

Institut me profesionistë

Në rast se realizohet nisma për një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës, atëherë ky do të ishte instituti i dytë me radhë me të njëjtin qëllim, e të cilin e themelon Qeveria e Kosovës.

Një grup paraprak punues për formimin e Institutit, ishte krijuar më herët gjatë këtij viti, me nismën e Albulena Haxhiut, ish-ministre e Drejtësisë në qeverinë e atëhershme të Albin Kurtit.

Megjithatë, Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës ka ekzistuar që nga viti 2011 e deri në vitin 2018. Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, të drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, ai institut u shua, me arsyetimin që punën e tij do ta vazhojë Departamenti për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Por, ai departament nuk është themeluar.

Ish-drejtuesi i Institutit, tashmë të shuar, Ismet Salihu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se është e rëndësishme që qeveria të formojë Institutin për hulumtimin e krimeve të luftës, sepse ai është i domosdoshëm që “para pajtimit, Prishtinën dhe Beogradin t’i ballafaqojë me të vërtetën”.

Salihu, i cili është profesor i të Drejtës Penale, ka theksuar që Institutin për krime të luftës duhet ta përbëjnë shkencëtarë dhe hulumtues, të cilët do të kryejnë punën e tyre në mënyrë të paanshme.

“Duhet të krijohen kushte të mira. Ky është obligim i yni”, u shpreh Salihu.

Ai shtoi që do të nevojiten 5 deri në 10 vjet pune me kapacitet të plotë, në mënyrë që të mblidhen dhe dokumentohen të gjitha krimet e luftës në Kosovë.

Instituti në krye të së cilit ka qenë Salihu, ka botuar 10 libra me informatat për krimet e kryera të luftës.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka sqaruar se përbërja e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës do të jetë pikërisht ashtu siç sugjeron edhe profesor Salihu.

“Instituti do të ketë akademikë, profesorë, aktivistë të çështjeve të luftës, përfaqësues të familjarëve të personave të zhdukur dhe shoqatave të nënave”, theksoi Selimi.

Puna “e shkapërderdhur”

Megjithatë, lidhur me pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse është dashur që, në vitin 2018, të shuhet Instituti i mëparshëm, i cili synohet sërish të krijohet për të njëjtin qëllim, ministri Selimi, i cili asohohe ishte këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj, ka thënë se “shuarja e institutit ka qenë vendim i asaj qeverie, të cilin vendim nuk e gjykoj”.

“Por, qëndroj prapa premisës që Kosova duhet ta ketë këtë institut për të ruajtur memorjen tonë kolektive”, u shpreh Selimi.

Në këtë pikë, hulumtuesja e drejtësisë tranzicionale, Nora Ahmeti thekson që ka qenë hap i gabueshëm nga ana e qeverisë, shuarja e këtij Instituti në vitin 2018. Sipas saj, ata që kanë qenë të angazhuar në Institutin e atëhershëm, kanë bërë punë të mirë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar. Sipas saj, çështja e këtij instituti ishte politizuar, gjë të cilën ajo e konsideron si veprim të gabuar.

“Në vend se të vazhdohet puna aty ku ka mbetë ose të forocohet dhe formësohet ajo punë, në mënyrë që t’i jepet shtytje edhe më e madhe, jo vetëm financiare, por edhe profesionale asaj pune që ka ngecë, ne e kemi bërë traditë që secila qeveri që vjen e minimizon ose e shkatërron punën që është bërë, apo ofron që gjithçka të nis prej fillimit. Ku kemi arritur sot? Ka qenë edhe një iniciativ tjetër, që të krijohet një institut tjetër dhe prapë, ja tash ideja për të pasur një institut i tillë. Jo vetëm ideja, por është obligative për secilin shtet, për secilin vend. Këtë ua kemi borgj gjeneratave të ardhshme”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi se luftën e fundit në Kosovë e kanë hulumtuar dhe dokumentuar të gjitha organizatat ndërkombëtare që kanë qenë në Kosovë, përfshirë aty edhe misionin e UNMIK-ut, misionit e EULEX-it dhe KFOR-in, si dhe organizatat humanitare. Por, sipas saj ato dokumente janë mbledhur dhe janë dërguar në vendet përkatëse të atyre që i kanë hulumtuar.

“Ka aq shumë material për Kosovë, por nuk është i mbledhur në një vend. Ne, nuk është se nuk kemi bërë punë të mjaftueshme. Mirëpo, puna ka mbetur e shkapërderdhur”, theksoi Ahmeti.

Ndërkaq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë theksuar se deri më tash, nuk ka ekzistuar “një trup shtetëror serioz, i cili do t’i dokumentonte krimet e luftës”.

Formimi i Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, nga ky fond vlerësohet si nismë e mirë , por vetëm “në rast se merret seriozisht me mandatin e tij”.

“Në qoftë se e kuptojnë seriozisht misionin e vet dhe në qoftë se ky trup nuk është i motivuar politikisht, mund të kontribuojë në krijimin e e pasqyrës së vërtetë lidhur me atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së armatosur në Kosovë. Por, në qoftë se është i motivuar politikisht, do të ketë efekt të kundërt”, theksoi Blakaj.

Ai ka shtuar se Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk do të bashkëpunojë me Institutin e ri për hulumtimin e krimeve të luftës, sepse ky fond nuk dëshiron që të jetë pjesë e një organizimi që është nën kompetencat e shtetit.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë.

Gjithashtu, rreth 1.600 persona janë ende të pagjetur, shumica e të cilëve janë shqiptarë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat