Muhamet Hamiti argumenton se pse presidenti duhet zgjedhur nga populli

Aktuale

Muhamet Hamiti argumenton se pse presidenti duhet zgjedhur nga populli

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 22:48
Muhamet Hamiti

Profesori universitar, Muhamet Hamiti, ka ravijëzuar skenarin e zgjedhjes së presidentit me votë popullore, teksa ka thënë se një gjë e tillë do ta bënte pushtetin më demokratik në vend.

“Punën më të mirë që do të mund ta bënte klasa aktuale politike është të pajtohej për zgjedhje të Presidentit të Kosovës me votë popullore. Kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Natyrisht, edhe pajtimin e komuniteteve për këto ndryshime, të cilat, esencialisht, nuk prekin interesat e tyre”, ka shkruar Hamiti.

Hamiti, përmes ‘Facebook’-ut të tij, ka kujtuar kohën kur administronte UNMIK’u Kosovën, teksa ka thënë se të gjitha partitë kundërshtonin propozimin e misionit ndërkombëtar për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, përveç LDK’së.

“Në këto tridhjetë vjet Kosova ka zgjedhur Presidentin dy herë me votë popullore. Para lufte, më 1992 dhe 1998, me votë gati plebishitare Kryetar i Kosovës është zgjedhur Ibrahim Rugova. Rugova është zgjedhur dy herë President i Kosovës me vota në Kuvend (më 2002 dhe me 2004). Në Kuvend janë zgjedhur edhe Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi, pa harruar zgjedhjen e paligjshme të Behgjet Pacollit për president të vendit”, thuhet tutje në postimin e tij.

Ai tutje ka treguar edhe skenarin se si vendi do të vinte tek një alternativë të tillë, duke përmendur ndryshimet kushtetuese.

“Zgjedhja e Presidentit të Kosovës me votë popullore do ta bënte pushtetin demokratik në Kosovë më të balancuar, më përfaqësues, dhe do të evitonte rrezikun që për shkaqe mospajtimesh të mëdha ndërmjet partish, apo, siç e kemi situatën tani – të çorodisë së plotë të skenës politike në vend –  të krijohen trauma të panevojshme popullore. Aktualisht kemi traumë politike, por edhe tallje me idenë e kreut të shtetit”, shkroi ndër të tjera profesori universitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat