Mimoza Kusari s’i ndahet VV’së: Modalitetin e koalicionit do ta diskutojmë

Aktuale

Mimoza Kusari s’i ndahet VV’së: Modalitetin e koalicionit do ta diskutojmë

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 17:03
Mimoza Kusari

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila që aktualisht është deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit me partinë e Albin Kurtit edhe në zgjedhjet e ardhshme. Kusari-Lila tha se modaliteti se si do të bashkëpunojnë me VV’në pritet të diskutohet duke mos e përjashtuar edhe mundësinë që koalicioni të jetë Vetëvendosje-Alternativa.

Partitë politike kanë filluar të mobilizohen për zgjedhejt e reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari e ka konfirmuar se me VV’në e Albin Kurtit do ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë modalitetin e koalicionit me Vetëvendosjen deputetja Kusari-Lila tha se kanë mbetur ta definojnë.

“Ka mbetur me u diskutu, definitivisht bashkëpunimin e planifikojmë prapë me Lëvizjen Vetëvendosje, vetëm do ta shohim formën dhe mënyrën se si kemi me e strukturu për zgjedhjet qëndrore. Më 6 tetor jemi bërë pjesë e listës. Tani do të shohim se në çfarë formati do të bashkëpunojmë. Ende nuk jemi ulë me diskutu, modaliteti ka mbetë me u definu”, tha Kusari-Lila.

Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që në zgjedhje me Vetëvendosjen të lidhin koalicion parazgjedhor si VV-Alternativa.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka marrë vendim se zgjedhja e qeverisë së Avdullah Hotit më 3 qershor nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, pasi deputeti Etem Arifi ka qenë i dënuar kur ka marrë pjesë në votim duke e bërë të paligjshme votën e tij vendimtare.

Kësisoj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se presidenti i Republikës duhet të shpall zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

U.D së presidentit Vjosa Osmani sot ka takuar përfaqësuesit e partive politike të Vetëvendosjes, LDK’së, PDK’së dhe AAK’së.

Nga kryetarët e partive, vetëm Albin Kurti i VV’së i ka shkuar Osmanit në presidencë për konsultime rreth datë së zgjedhjeve.

Kurse PDK’në e ka përfaqësuar deputeti Memli Krasniqi, LDK’në, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ndërkaq AAK’në, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Në takimin me Vjosa Osmanin, Albin Kurti ka kërkuar që data e zgjedhjeve të shpallet sa më shpejt.

“Ne shprehëm interesim si subjekt politik që zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të kemi një datë që në harkun kohor të jenë sa më të hershme. Na duhen të marrim aktgjykimin e plotë dhe varet nga data kur na vjen ai aktgjykim si palë që jemi në këtë çështje, por nuk e ka edhe përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm, pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve, në një hark të caktuar kohor, si e parasheh Kushtetuta. Data sa më herët e mundshme, jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet. Meqë kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet që të ecim sa më shpejt”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat