Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, së bashku me tre deputetet e Lëvizjes që janë anëtare në Grupin e Miqësisë Kosovë-Turqi, Labinotë Demi Murtezi, Yllza Hoti dhe Fjolla Ujkani, pritën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit të deritanishëm mes Kosovës e Turqisë dhe gatishmërisë së dyanshme për vazhdimin e një bashkëpunimi të tillë.
Sakar përmendi rëndësinë e solidaritetit shoqëror, shtetëror e ndërshtetëror në këto kohë të rënda të përballjes me pandeminë, duke theksuar njëkohësisht situatën e vështirë politike në Kosovë.
Kryetari Kurti shprehu falënderimin për përkrahjen dhe ndihmën e Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës gjatë sfidës së vazhdueshme të ballafaqimit me pandeminë.
Në këtë takim, u fol edhe për situatën politike në Kosovë pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese e në prag të zgjedhjeve të reja.
Të dy palët u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin dhe takimet.