Rrëfimi nga Podujeva: Nipi zbrazi revolen, kishte mbetur një plumb i cili vrau gruan e axhës

Aktuale

Rrëfimi nga Podujeva: Nipi zbrazi revolen, kishte mbetur një plumb i cili vrau gruan e axhës

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:09
Në foto armët e sekuestruara.

M. Zhjeqi, 23 vjeçar, ndodhet në paraburgim për shkak se dyshohet se vrau nga pakujdesia gruan e axhës së tij, Sh.Zh. 58-vjeçarja është varrosur sot.

Gjykata Themelore e Prishtinës njofton se i pandehuri M.ZH. dyshohet se me datë 20.12.2020 rreth orës 23.30 në Podujevë, nga pakujdesia kishte shkrepur armën e markës “Magnum” dhe në atë moment kishte pësuar lëndime anëtarja e familjes – tani e ndjera SH.ZH., e cila me datë 21.12.2020 nga plagët e marra kishte ndërruar jetë në QKUK”, përfundon njoftimi i gjykatës.

Një version rreth vrasjes e kanë dhënë edhe në Podujevë, pranë shtëpisë ku tani është hapur e pamja për viktimën.

Plumbi i vetëm që kishte mbetur në karikatorin e revolës dyshohet se ia mori jetën 58-vjeçares, pasi të dielën mbrëma 23-vjeçari kishte gjuajtur me revole me mendimin që brenda saj nuk ka plumba. Këto informacione i ka dhënë një fqinj i familjes së viktimës.  

“Djali që e ka vra është nipi i burrit të gruas që ka vdek, djali i vëllaut po i bjen e ka vra gruan e axhës. E ka nxjerrë revolen, me mendimin që ia ka hjek plumbat, një plumb ka mbetur në karikator, ai nuk ka gjuajt me vra, po ai ka gjuajt veç që i ka hjek plumbat e që gjithmonë mbet një në karikator”, tha ai.

Ai tha se rasti ka ndodhur të dielen mbrëma në afërsi të odës së familjes Zhjeqi, pasi sipas tij familjet e kalojnë shumë mirë me njëra-tjetren dhe kalojnë kohë bashkë në odë.

”Këta janë shumë të afërt me njëri-tjetrin, e kalojnë shumë mirë nuk kanë pas asnjë telashe. Gruan e kanë dërgu të gjallë në spital, më pas ju ka keqësu gjendja dhe ka vdekur”, tha ai më tej.

Sipas tij, më pas gruaja ka pësuar sulm në zemër dhe ka vdekur.

“Tani mjekët kanë thënë se nga plumbi s’ka mujt me vdek dhe sipas informacioneve të para paska pas sulm në zemër”, përfundoi ai.

Media ka biseduar edhe me bashkëshortin e viktimës, por i njëjti ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet para mediave lidhur me rastin, ndërsa një familjar tjetër tha se “pa përfunduar raporti i obduksionit nuk mund të flasin asgjë”.

Sot në seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për 23-vjeçarin, ai dyshohet për vepren penale “vrasje nga pakujdesia”.

“I është caktuar sot masa e paraburgimit deri më 22 janar”, konfirmoi Gjykata.

Më vonë Gjykata lëshoi një njoftim për media ku jepen detaje lidhur me rastin.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri M.ZH.. në liri ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë.

Ndërsa nga Prokuroria Themelore e Prishtinës thanë se rasti është duke u hetuar në drejtim të dy veprave penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se, me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, është ndaluar një  person dhe ndaj të njëjtit sot, prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kërkesa është aprovuar nga Gjykata. Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Policia e Kosovës në në vendin e ngjarjes ka sekuestruar: Një revole e tipit GLOCK, një revolver i tipit ZASTAVA, një gëzhojë si dhe trembëdhjetë copë fishekë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës brenda këtij viti në Kosovë janë vrarë 25 persona.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat