Kuvendi i Kosovës voton të hënën Buxhetin 2021

Aktuale

Kuvendi i Kosovës voton të hënën Buxhetin 2021

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 07:49
Kuvendi

Votimi i Buxhetit të vitit 2021 për Kosovës pritet të zhvillohet të hënën, më 28 dhjetor, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

Zyra mediatike e Kuvendit të Kosovës njoftoi se dy pika të rendit të ditës në seancë janë: votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 është dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e qeverisë tashmë në largim dhe ndodhet në shqyrtim te Komisioni për buxhet dhe transfere.

Kuvendi i Kosovës pritet të shpërndahet, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur javën e kaluar jokushtetuese mënyrën se si është zgjedhur qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë bërë thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat