Dumoshi prezanton raportin vjetor të MKRS-së

Aktuale

Dumoshi prezanton raportin vjetor të MKRS-së

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Vlora Dumoshi

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka paraqitur raportin vjetor të dikasterit qeveritar të cilin ajo e drejton ku ka prezantuar projektet e realizuara gjatë këtij viti dhe ato që janë në realizim e sipër.

Prezantimi i detajuar i punës së kësaj ministrie për të gjithë territorin e Kosovës është bërë përmes paraqitjes grafike, ku u tha se u arritën të realizohen projekte në sektorin e kulturës dhe atë të sportit si investimi në ndërtimin e stadiumeve të futbollit nëpër komuna, ndërtimin e palestrave sportive, përkrahjen e klubeve të shumta nga federatat e ndryshme.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi ka thënë se viti 2020 ishte sfidues për të gjithë por se përkundër kësaj, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka arritur që të zbatojë programin e saj qeverisës duke iu falënderuar drejtorëve brenda ministrisë dhe drejtorëve të institucioneve kulturore e trashëgimore.

Dumoshi: MKRS ka arritur ta zbatojë programin e saj qeverisës

“Vitit 2020 ka qenë një sfidues për të gjithë ne por Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka arritur ta zbatojë programin e saj qeverisës. Ky program falë angazhimit dhe bashkëpunimit shumë të afërt të drejtorëve brenda ministrisë, drejtorëve të institucioneve kulturore, trashëgimore në kemi arritur që këtë vit ta përmbyllim, ka qenë shumë sfidues me përballje me virusin Covid-19”, deklaroi Dumoshi.

Ndër projektet e shumta të prezantuara ishin: Nënshkrimi i marrëveshjes me Universitetin e Prishtinës për bursa, ndarja e çmimeve vjetore për krijuesit dhe performuesit e artit për punën, të arriturat dhe sukseset e tyre, rinovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërtimi i Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, ndërtimi i qendrës së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë etj.

Në sektorin e sportit u veçua: Rinovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, në proces të ndërtimit janë stadiumi i futbollit në Gjilan, ai në Suharekë, në Drenas e në Kaçanik, ndërtimi i sallës sportive në Ferizaj, kompleksi i fushave të tenisit në Ferizaj etj.

Në vazhdim Dumoshi ka kërkuar që të nderohen me duartrokitje shumë personazhe të cilët ikën nga kjo botë e të cilët kanë kontribuar në fushën e sportit, kulturës, gazetarisë e shkrimtarë të ndryshëm.

Dumoshi: T’i nderojmë ata të cilët dhanë kontribut të madh në fusha të ndryshe kulturore e sportive

“Ne si ministri jemi ballafaquar me shumë sfida por ky vit ka qenë që na ka krijuar edhe dhimbje të mëdha me ikjen e shumë njerëzve të cilët kanë qenë kontribuues të mëdhenj në fushën e kulturës, në fushën e sportit, në fushën e gazetarisë shkrimtar të ndryshëm. Andaj, kërkoj nga ju që të ngriteni në këmbë dhe me duartrokitje t’i nderojmë dhe t’i falënderojmë për të gjithë atë punë të cilën na ka lënë trashëgimi të cilën do ta përcjellim brez pas brezi.”, tha Dumoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat