​Hoti: Agjencia e Kosovës për Forenzikë model në regjion

Aktuale

​Hoti: Agjencia e Kosovës për Forenzikë model në regjion

Më: 18 janar 2021 Në ora: 10:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Është inauguruar sot aneks-objekti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, për të cilën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha se është model për gjithë regjionin.

Me rastin e inaugurimit të kësaj agjencie, Hoti u shpreh se Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile për qytetarët e Kosovës.

"Ju përgëzoj që keni arritur në këtë pikë, që të kompletohet deri në këtë pikë më krejt infrastrukturën e nevojshme. Përgëzoj drejtorin që pa zhurmë ka bërë gjithë këto punë, gjithë këto aktivitete. Kjo është agjenci model në regjion. Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile në sytë e qytetarëve të Kosovës", tha Hoti.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu tha se me përurimin e këtij objekti po krijohen kushte për kryerjen e shërbimeve forenzike për kryerjen e detyrave në dobi të vendit.

"Ky investim shënon një sukses të lartë në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend[...]Shkenca e forenzikës duhet të kontribuojë në gjetjen e së vërtetës. Me ndërtimin e këtij objekti Agjencisë së Forenzikës po i krijohen kushtet për kryerjen e shërbimeve forenzike me urdhëron e Gjykatave, Policisë", tha Veliu.

E drejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri e vlerësoi si të rëndësishme ditën e sotme, duke thënë se me krijimin e kushteve për shërbime forenzike AKF po bëhet shembull edhe për rajonin.

Ai adresoi edhe një kërkesë për kryeministrin në detyrë.

"Ligji për Paga ka dëmtuar personelin e AKF-së. Për këtë arsye unë dua të adresoj një kërkesë për kryeministrin tash, për Qeverinë që do të zgjedhet që statusi i ekspertit forenzik të ketë vendin meritor", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat