Si funksionon heshtja zgjedhore në Kosovë dhe si thyhet ajo?

Aktuale

Si funksionon heshtja zgjedhore në Kosovë dhe si thyhet ajo?

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 17:28
Foto ilustruese

Heshtja zgjedhore fillon 24 orë para ditës së votimit, më saktësisht në orën 7:00 të së shtunës dhe vazhdon deri në orën 7:00 të së dielës (me fillim të procesit zgjedhor).

Heshtja zgjedhore është ligjërisht e zbatueshme. Ka një bazë të gjerë ligjore në Kosovë që rregullon mbarëvajtjen e saj.

Gjatë kësaj periudhe kohore nuk lejohet asnjë fushatë aktive, e po ashtu edhe informimi për sondazhet e opinioneve është i ndaluar.

“Bërja në çfarëdo mënyre e fushatës, lobimi apo promovimi i subjektit të caktuar politik apo kandidatëve për deputet të këtyre subjekteve nga kushdo çoftë, përfshirë edhe qytetaret, përbën shkelje”, thotë Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Rregulla Zgjedhore Nr. 11/2013 – Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e Tyre dhe Kandidatët përcakton më saktësisht se cilat janë veprimet e ndaluara para procesit të votimit.

“Bërja e fushatës në çfarëdo mënyre, shfrytëzimi i megafonëve ose sistemeve tjera për t’iu drejtuar publikut kudo qoftë në Kosovë me qëllim të ndikimit në votues, dhe shfrytëzimi i mediave lokale dhe ndërkombëtare me qëllim të ndikimit në votues”.

Ndërsa, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës parasheh se “subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; bërja e fushatës në çfarëdo mënyre”.

Desku vë në pah se edhe postimet e sponsorizuara përbëjnë shkelje të heshtjes zgjedhore.

“Në bazë të LZP-së, nenit 36, ndalohet bërja e fushatës në çfarëdo mënyre, që nënkupton se të gjitha postimet e sponsorizuara e të pasponsorizuara në rrjete sociale, siç është Facebook-u, ndalohen dhe janë të dënueshme”.

Rrjedhimisht, për këto shkelje parashihen dënime – shqiptim i gjobave.

Sipas Deskut, PZAP-ja shqipton gjoba ndaj subjekteve politike e jo ndaj kandidateve.

“Kandidatët mund të thyejnë kodin e mirësjelljes, por dënohet subjekti e jo kandidati për deputet”.

Ndërsa, sa i përket shumës së gjobës, Desku thotë se “shuma e gjobës vlerësohet dhe caktohet nga anëtaret e PZAP-së varësisht prej peshës së shkeljes si dhe ndikimit të asaj shkeljeje në dëmtimin e subjekteve tjera garuese në zgjedhje”.

Rregulla e PZAP nr. 01-2012 për Kategorizimin e Sanksioneve dhe Gjobave thotë se PZAP mund të vendos një gjobë ndaj një subjekti politik në vlerë deri në  50,000 euro, varësisht kritereve që ndikojnë në lartësinë e gjobës, respektivisht rrethanat renduese dhe lehtësuese.

Duke u bërë thirrje që çdo parregullsi të raportohet në mënyrë që të ndërmerren masat përkatëse, Desku tregon se afati ligjor për të dërguar ankesë në PZAP për thyerjen e heshtjes zgjedhore është “24 orë nga momenti i vënies në dijeni për shkeljen e cila ndodhë gjatë heshtjes zgjedhore”.

Ndërsa, afati kohor për ankesat në ditën e zgjedhjeve është “24 orë nga momenti i mbylljes së qendrave të votimit apo vendvotimeve”.

Thelbi i heshtjes zgjedhore është t’u ofrojë votuesve kushte paqësore (pa agjitacion politik) për të shqyrtuar dhe marrë vendimin përfundimtar lidhur me zgjedhjet.

Pra, heshtja zgjedhore është futur si koncept me qëllimin për t’u mundësuar votuesve kushte të përshtatshme – të qeta dhe pa u ndikuar nga subjektet individuale politike – për të marrë vendimin se kë të votojnë. Supozimi është të sigurohet një mundësi reflektimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat