Baton Haxhiu: Do ta përkrahja Albinin për këtë ide

Aktuale

Baton Haxhiu: Do ta përkrahja Albinin për këtë ide

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 22:25
Albin Kurti, Baton Haxhiu

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti u shpreh se nëse do kishte një referendum për bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë, vota e tij do ishte pro.

Deklarata e tij shkaktoi reagime dhe entuziazëm në të dyja vendet. Analisti Baton Haxhiu thotë në emisionin “Shock” në Euronews Albania se vetë Albin Kurti duhet ta ndërtojë dhe të votojë i pari referendumin e bashkimit mes dy shteteve.  

“Nëse Kombet e Bashkuara do të thonin që te kemi një referendum, nuk do të refuzoja dhe do të votoja për bashkimin, por në politikë është guximi për të bërë referendum. Ai duhet ta ndërtojë referendumin, që të jetë edhe votuesi i parë i bashkimit. Është një cinizëm i panevojshëm”, tha ai.

Ai për herë të parë tregoi pikat, në të cilat do ta mbështeste hapur liderin e Vetëvendosjes sa i takon çështjes kombëtare.

“Do ta përkrahja shumë Albinin nëse ai i jep rrugë bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në çfarëdo varianti. Nëse ia jep kuptimin heqjes së kufirit, nëse ia jep kuptimin po themi krijimit edhe të reformave në Kosove, por edhe shtyrjen e problemeve që kanë mes tyre Kosova me Shqipërinë. Për mua kufiri s’ka kuptim. Mendoj se duhet më shumë guxim, dhe mendoj se duhet jo vetëm guxim, por edhe sakrificë”, tha Haxhiu.

Kurse analisti Andi Bushat thotë se Albin Kurti nuk mund të prezantojë veten si një qytetar i paangazhuar. Sipas z. Bushati, një lider i vërtetë u prin proceseve politike, por dhe atyre nacionale.

Ai shkon më tej, kur thekson se një deklaratë e tillë e Albin Kurtit mbi referendumin tregon se lideri i VV-së është “tërhequr nga njeriu, i cili mbante lart flamurin e bashkimit”. 

“Albin Kurti nuk mund të luajë rolin e qytetarit të paangazhuar, një lider politik u prin proceseve. Unë Mendoj që liderët në Tiranë dhe Prishtinë duhet t’i zhysin llërat tek punët e vogla. Nuk na duhen liderë historikë, që mendojnë për projekte të mëdha për të shpëtuar Ballkanin, por na duhen liderë që të luftojnë korrupsionin dhe të ulin papunësinë. Në këtë kuptim, e shikoj qasjen e Albin Kurtit si qasjen e një njeriu, i cili është tërhequr nga njeriu, që mbante flamurin e bashkimit. Tani ai do jetë kryeministër i Kosovës. Për mua është një tërheqje e mirë, por është shumë kollaj të shkundësh flamujt e bashkimit",  tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat