​KQZ vendos për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve

Aktuale

​KQZ vendos për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 20:56
KQZ

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Ndërkohë u bë e ditur se janë rinumëruar 260 vendvotime nga rinumërimi paraprak prej 494 vendvotimeve. Lidhur me numërimin e votave nga diaspora u tha se janë refuzuar 16 mijë e 288 zarfe, ndërsa janë aprovuar rreth 41 mijë zarfe me fletëvotime.

Edhe mbledhja e radhës e KQZ-së nuk kaloi pa tensione, pasi numërimin e madh të votave të refuzuara nga diaspora, Sami Kurteshi nga LVV e quajti të tmerrshme, ndërkaq kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka ia ktheu si tendencë qëllimkeqe të tij për ta paraqitur KQZ si pengues.

Lidhur me numërimin e votave dhe rinumërimin e deritanishëm, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahemtaj tha se ka parregullsi edhe në 58 vendvotime të reja, derisa bëri të ditur se kanë shtuar kapacitetet në QNR.

Ahmetaj: QNR ka shtuar kapacitetet

“Sa i përket procesit të rinumërimit deri në këto momente janë rinumëruar 220 vendvotime, ndërsa në proces janë 40 vendvotime, të cilat janë duke u rinumëruar, e që në total bëjnë 260. Kjo në përqindje i bie se janë në proces edhe 52.63 për qind të vendvotimeve. Pra, kemi të shtuar kapacitetet janë 40 njësi ku numërohen dhe kemi një progres dhe rezultat pozitiv në aspektin e procesit të rinumërimit...Ndërsa në hapësirën tjetër ku është duke u zhvilluar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara nga shërbimi votues. Deri në këto momente nga 34 mijë e 2 pako të hapura të aprovuara janë 41 mijë e 280 zarfe me fletëvotime. Ndërsa i kemi kategoritë tjera që janë 16 mijë e 288 që nuk e kanë statusin e aprovuar. Gjithsej deri më tani janë trajtuar 57 mijë e 568 zarfe me fletëvotime... Nga ky kontroll i bazës së të dhënave si kriter i votave të subjekteve që janë krahasuar me votat e kandidatëve, si kriter shtesë kemi marrë kur subjekti ka pesë vota më shumë, ndërsa gjithë kandidatët kanë zero vota. Bazë të këtij kriteri na ka rezultuar se një numër i formularëve të rezultateve të kandidatëve, përkundër procedimit të tyre të rregullt në bazën e të dhënave, nga ky krahas bëhet fjalë për 58 vendvotime ku votat për kandidatë nuk janë shënuar fare”, tha Ahmetaj.

Kritik u shpreh anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, i cili tha se është i frikshëm refuzimi i një të tretave të votave nga diaspora, pasi sipas tij nuk mund askush të refuzohet, duke pasur parasysh se nuk është publikuar lista e personave që kanë aplikuar.

Kurteshi: Nuk mund të refuzohet dikush me arsyetimin se nuk ka aplikuar fare

“Nuk mund të refuzohet dikush me arsyetimin se nuk ka aplikuar fare, kur nuk është publikuar lista e atyre që kanë aplikuar. Mandej është lista e atyre që janë refuzuar dhe lista e atyre që janë miratuar. Cila është arsyeja që institucioni mos t’i publikojë këtu. Nuk mund të thuash se nuk je këtu, kur nuk ma tregon listën”, tha Kurteshi.

Por këtë, kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka e quajti tendencioze përpjekjet për paraqitjen e KQZ-së si pengesë në procesin e votimit të diasporës.

Daka: Kjo qasje është e gabueshme

“Edhe tendenca që çdo gjë çka ndodh në KQZ të paraqitet si tendencë për të penguar dikën është qasje shumë e gabuar. Mos harroni se KQZ për 38 ditë ua ka mundësuar 150 mijë qytetarëve të Kosovës brenda 10 dite të aplikojë, regjistrojë dhe verifikojë, dhe të gjitha këto procedura janë kryer përkundër faktit se ju po tentoni se KQZ-ja po i pengon. KQZ-ja nuk është duke e penguar askënd. Përkundrazi, KQZ ka bërë maksimumin e mundshëm që çdo qytetari, kudo qoftë ai t’i jepet e drejta për të votuar. Nëse keni ju prova që KQZ-ja me qëllim dikujt ia ka mohuar të drejtën, apo keqpërdor këtë të drejtë urdhëroni në prokurori, dorëzimi faktet”, u shpreh ajo.

Lidhur me hetimet e prokurorisë për disa nga votat e diasporës, Sami Kurteshi nga ka marrë sinjalizime që emri i tij përmendet, siç tha ai nga bandat kriminale.

Kurteshi: Emri im përmendet në kërcënimet që i ka marrë ai nga bandat kriminale

“Personalisht, sinjalizuesi më lajmërohet prej Austrisë se emri im përmendet në kërcënimet që i ka marrë ai nga bandat kriminale të kanë organizuar prej këtu fletëvotime dhe dokumente personale që i paska marrë prokuroria. Këtë po e lidhi me emrin tim personal, jo dikujt tjetër. Kjo është shqetësuese sepse jo vetëm sinjalizuesi, por edhe persona të tjerë po kërcënohen, se dikush këtu në këtë institucion ka dhënë dokumente personale, personave të paautorizuar jashtë KQZ-së për t’i dërguar jashtë. Unë mendoj që prokuroria dhe policia e kanë për obligim ta informojnë opinionin pasi kemi të bëjmë me kërcënime direkt”, tha Kurteshi.

Sa i përket votave të komunitetit serb për iniciativën e Adriana Hoxhiq dhe atë të komunitetit rom, Kurteshi kërkoi marrjen e një vendimi të KQZ-së për këtë çështje, pasi sipas tij po shihet qartë se kjo votë është e orientuar politikisht për devijim të votës për komunitete.

Kurteshi: Ka devijim të votës për komunitetet

“Shihet qartë se në disa komuna që janë të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, pjesën veriore, por edhe në Graçanicë kemi një devijim të qartë të votës për komunitetet. Cilën formë, kur merren parasysh statistikat, votimet e viteve të kaluara shihet qartë se kemi një orientim të qëllimshëm politik nga komuniteti serb që ka numër më të madh të votueseve në drejtim të subjekteve politike nga komuniteti rom dhe boshnjak. Kjo shihet edhe më qartë kur shihen disa vendvotime se kjo është e orientuar politikisht ku vetëm subjekti ka vota, e asnjë kandidat. Me rëndësi ka qenë të kalohet subjekti i caktuar”, tha Kurteshi.

Por, Valdete Daka tha se KQZ-ja nuk është adresa e duhur për t’u marrë me këtë çështje.

Daka: KQZ-ja nuk mundet me u marrë me këtë çështje

“Nuk jemi ne adresa e cila mund të merret as me këtë çështje, të gjithë po i shohim gjërat, mirëpo adresa është e gabuar. Nuk është KQZ-ja ajo që mund të vendosë lidhur me përfaqësimin e komuniteteve, së paku Kuvendi, apo Gjykata Kushtetuese të cilat kanë kompetenca të tilla. Ne vetëm i organizojmë zgjedhjet, a janë votat e rregullta, s’janë. Unë e kuptoj shqetësimin e të gjithë komuniteteve, por nuk jemi ne ata që mundemi me ndërhy dhe me marrë vendime të tilla”, tha Daka.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së, nga komuniteti turk, Rifat Krasniç tha se ndërhyrje në votat e komuniteteve ka pasur edhe nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Krasniç: Vjen Kurti dhe Osmani, dhe aty hanë pite edhe thonë duhet ndryshim

“Vjen edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dhe aty hanë pite edhe thonë duhet ndryshim. Ka ardhur koha me ndryshim. Demek të votohet parti tjetër, komuniteti turk s’do të jetë kurrë në parlament. A bëhet ajo fjalë, nuk bëhet askush, pasi kanë formuar një parti tjetër”, tha Krasniç.

Përfaqësuesi i komunitetit ashkali, Artan Asllani tha se për çështjen e votave në komunitete duhet shfrytëzuar mundësitë e ankesave, qoftë edhe në Kushtetuese.

Asllani: T’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e ankesave

“T’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e ankesave. Qoftë në Gjykatën Kushtetuese, qoftë kudo tjetër”, tha Asllani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat