​Qytetarët mbështesin planin për vaksinim

Aktuale

​Qytetarët mbështesin planin për vaksinim

Më: 29 mars 2021 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Dozat e para të vaksinave për Kosovën kundër Covid-19 u siguruan nga organizata UNICEF nëpërmjet mekanizmit COVAX të cilat arritën mbrëmë në Kosovë. Kontingjenti i parë i vaksinave kishte 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca – Oxford COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha mbrëmë se fillimisht do të vaksinohen personeli shëndetësor, pastaj të moshuarit mbi moshën 80 vjeç dhe ata me sëmundje të tjera shoqëruese.

Qytetarët e anketuar nga KosovaPress, përkrahin këtë vendim. Disa nga qytetarët e moshuar thanë se do të donin të vaksinoheshin por jo para personelit shëndetësore, pasi këta të fundit janë në vijën e parë të frontit.

Gani Musliu, tha se punëtorët të cilët janë në kontakt të obligueshëm me qytetarët, si punëtorët shëndetësore, policët, arsimtarët duhet të vaksinohen e pastaj të moshuarit.

Musliu: Punëtoret shëndetësore, policia, arsimtarët të vaksinohen të parët

"Punëtoret të cilët janë në kontakt të obligueshëm, punëtorët shëndetësore fjalën e kam, policia, arsimtarët me nxënës, mandej dikur me fillu edhe pleqtë, ne kemi kohë me prit edhe mos paçim kohë e kemi kalu një kohë kogja të madhe...Ata që janë më të rrezikuar, pastaj vijnë me radhë pleqtë, qysh e kanë paraparë edhe OBSH-ja dhe organizata tjera shëndetësorë" , tha ai

Ali Demiri tha se po pret me padurim të marrë vaksinën, pasi që është me diabet. Sipas tij, Kosova duhet të furnizohet me vaksina të tjera, pasi që jemi të fundit në Evropë që u furnizua me vaksina.

Demiri: Jam me diabet, mezi po pres ta marrë vaksinën

"Unë të them të drejtën jam me diabet, 72 vjeçar mezi që nuk pres me marrë vaksinën edhe besoj që është ana pozitive për ta marrë se çmos po flitet po ekspertët thonë që duhet marrë, ma merr mendja që është e rrugës, edhe më shumë me e furnizu me vaksina tjera këtë Kosovë të ngratë që duhet t’i themi e ngratë se të fundit kemi marrë vaksinat sa di unë në Evropë, prandaj e rrugës është për t’i marrë vaksinat", tha ai

Shaqir Meqinaj tha se personeli shëndetësorë është e arsyeshme të vaksinohet fillimisht dhe se e përkrah atë vendim. Ai u preferon të gjithëve të vaksinohen.

Meqinaj: Ndoshta më vije rendi për ta marrë

"Nëse na vjen rendi e kishim marrë, por njëherë po thonë që personeli shëndetësore që është shumë e arsyeshme dhe e përkrahi atë ide, pastaj të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare, e unë 65 i kam bërë, ndoshta më vjen rendi edhe mua, sigurisht që do ta marrë, edhe pse e kam kaluar...Kjo vjen prej burimeve shkencore d.m.th është vërtetuar që është efektive dhe kisha qenë i pajtimit me marrë dhe i kisha preferu të gjithëve që ndjehen mirë me shëndet të ligë ta marrin vaksinën sepse iu jep imunitet e me siguri që iu ndihmon" tha ai.

Fekë Sadikaj beson që shtetet siç janë SHBA, Gjermani, Austria dhe shtetet e Evropës nuk certifikojnë vaksinat për popull pa marrë parasysh efektet anësore.

Sadikaj: Vaksina nuk është e sigurtë

"Vaksinën e kisha marrë të gjitha agjencioneve që prodhojnë edhe që agjencioneve janë të shteteve të perëndimit e kisha marrë parasysh, në mënyrë se unë kam dyshim për vaksinë, sepse shtetet siç janë SHBA, qysh është Gjermania, Austria edhe shtetet evropiane, besoj që nuk i certifikojnë vaksinat me i dhënë popullatës pa marrë parasysh ku shkojnë pa e vërtetu në mënyrë të duhur shkencore që ato e luftojnë virusin edhe nuk kanë veprime tjera anësore të dëmshme për organizimin e njeriut", tha ai.

Gjithashtu sot gjatë ditës Ambasada Amerikane ka shpërndarë një link ku jepen detaje lidhur me përfitimet e vaksinimit dhe se si te mbrohemi nga virusi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat