Paralajmëroi kthimin e reciprocitetit, opozita kritika ndaj Kurtit

Aktuale

Paralajmëroi kthimin e reciprocitetit, opozita kritika ndaj Kurtit

Më: 15 prill 2021 Në ora: 16:07
Albin Kurti

Qeveria Kurti ka paralajmëruar rikthimin e reciprocitetit me Serbinë. Kryeministri Albin Kurti dy ditë para se të fitonte zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zotuar se reciprociteti do të rikthehet brenda ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh.

Edhe pas ardhjes në pushtet qeveria e tij po paralajmëron rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, por që kësaj here nuk japin një afat se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Kështu të paktën paralajmëroi zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, kjo pasi “reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera”.

Por shton se masat e tilla nuk do të vlejnë vetëm për Serbinë, por edhe për secilin shtet që vepron njëanshëm më Kosovën.

“Është obligim i qeverisë dhe kryeministrit Kurtit që të mbrojë qytetarët e republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprocitetit me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, tha Kryeziu.

Kurse dje Kryeziu kur u pyet nga mediat pas mbledhjes së Qeverisë se kur do të vendoset, tha se nuk ka një datë të caktuar.

Por si e shohin partitë opozitare këtë paralajmërim të kryeministrit Kurti për rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë?

Deputeti i AAK-së, Pal Lelaj, thotë se partia e mbështet reciprocitetin me Serbinë, por vetëm si të plotë.

Ai thumbon Kurtin duke thënë se ai kishte paralajmëruar se si të bëhet kryeministër to ta vendos reciprocitetin, por thotë se siç duket tani është i zënë me fushatën në Serbi.

“Aleanca çdo herë ka qenë pro reciprocitetit me Serbinë. Madje kur udhëheqnin me qeverinë patëm shkuar dhe me larg duke i vendosur shtetit të Serbisë taksë 100%. Një nga premtimet e Albin Kurtit ka qenë që qysh në fillim të marrjes se udhëheqjes së qeverisë ai do të vendoste reciprocitet ndaj shtetit serb. Edhe mund ta kuptojmë Albin Kurtin,sepse tash është i zënë me fushatën e tij zgjedhore në shtetin e Shqipërisë e ndoshta nuk po ka shumë kohë për punët e Kosovës. Aleanca mbështet reciprocitetin me Serbinë, por vetëm reciprocitet te plotë”, thotë Lekaj.

Kurse Besa Gaxherri, anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se kryeministri Kurti e ka pasur premtim popullist gjatë fushatës se do ta kthej reciprocitetin.

Ajo thotë se për këtë Kurti duhet të ju kërkoj falje qytetarëve se i ka mashtruar.

“Unë mendoj se kryeministri Kurti, duhet të merret seriozisht me dialogun me Serbinë që të mbyllet sa më shpejt kjo temë, e jo t’i vëjë kurthe vetës që të mos shkojë në dialog dhe ta dëmtojë Kosovën”.

Për çështjen e reciprocitetit ka folur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, spanjollit Josep Borrell.

“Në përgjithësi ne nuk po komentojmë për deklaratat e të tjerëve. Kur bëhet fjalë për Dialogun Beograd-Prishtinë, Bashkimi Evropian u bën thirrje të dy palëve dhe pret prej tyre të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe që nuk kontribuojnë në një progres të suksesshëm në dialog”, tha zëdhënësi i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Peter Stano.

Kujtojmë se heqja e masave të reciprocitetit me Serbinë ishte bërë nga Qeveria Hoti, si një nga vendimet e saj të para të qeverisjes disa mujore të koalicionit qeverisës LDK-AAK e NISMA, mandati i të cilës u ndërpre nga Gjykata Kushtetuese, dhjetorin e vitit të shkuar, për të pasuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat