​Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Syri i Popullit”

Aktuale

​Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Syri i Popullit”

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:22
foto nga vendi ngjarjes

Në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar rigjykimi për rastin e njohur “Syri i Popullit”, ku Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica po akuzohen për ndihmë në tentim vrasjen e Azem Vllasit. E gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u dëgjuan dëshmitë e dëshmitarëve, Hekuran Mavriqi dhe Berat Rrustemi. Ndërsa, edhe në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit, Avni Llumnica ka kërkuar që ai të lirohet nga masa e paraburgimit, por ky vendim mbeti të merret pas seancës gjyqësore.

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit”, me kërkesën që Prokuroria Speciale ta rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardhur me një aktakuzë të re, të përmirësuar. Sipas aktakuzës së re, të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha, ku për këtë të fundit tashmë ka përfunduar gjykimi.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Hekuran Mavriqi deklaroi se qëndron pas dëshmisë së tij të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të kaluar. Por ai edhe sot i’u përgjigj disa pyetjeve që kishin palët e përfshira.

Ai madje dorëzoi edhe dëshminë për vdekjen e babit të tij, Ramiz Mavriqi i cili ishte po ashtu dëshmitar në këtë rast, i cili kishte ndërruar jetë më 23 mars 2021.

Prokurori i rastit, Burim Çerkini u interesua të di se numrin e telefonit të Azem Vllasit që dikush ia kishte kërkuar babait të Hekuran Maviriqit a ia kishte thënë ai sa ishte në veturë me të apo pastaj. Mavriqi tha se nuk e di por që derisa kanë qenë në veturë babi i tij nuk ia ka dhënë numrin e telefonit të Azem Vllasit askujt.

Maviriqi: Derisa kam qenë në veturë babai numrin e Azem Vllasit nuk ia ka dhënë personit që e kontaktoi

“Palën e dëmtuar babi im e ka pasur shok, si dajë të nënës Sadri Ramabajën babai ashtu i ka thënë sepse gjyshja ime ka qenë Ramabaja[...]Çerkini:A e din kush e ka telefonuar babin tëndë më datën 11.03 kur ke qenë prezent me të? Mavriqi: Jo kemi qenë në veturë bashkë rreth Graçanicës diku me prindin ai ka pasur dy telefona një numër e ka pasur një numër në emrin tim, një numër në emër të tij dhe në atë numër që e ka pasur që asnjëherë në atë numër nuk ka e ka përdorur thirrje e ka përdorur vetëm për internet thërret një person i panjohur i thotë jam një njeri nga Matiqani po më duhet numri i Azem Vllasit për një tokë dhe neve na vjen çudi se numrin e Azem Vllasit mund ta gjejnë në google apo edhe para banesës së tij[...]Babai i thotë mirë do e kontaktoj avokatin dhe nëse ai pranon unë do iu kontaktoj përsëri. Çerkini:A e thirri në të njëjtën kohë Azem Vllasin babai yt? Maviriq: Ne ishim në një barnatore bujqësore në Graçanicë dhe më duket se pasdite ose të nesërmen nuk e di se pastaj nuk kam qenë dhe i ka thënë se është një palë që është e interesuar”, ishin komunikimi në mes të prokurorit Çerkini dhe dëshmitarit Maviriq.

Mavriqi tha se nuk e njeh fare të akuzuarin tjetër, Avni Lluminicën derisa për Sadri Ramabajën tha se kishte një lidhje të largët farefisnore, ndërsa të dëmtuarin, Azem Vllasin deklaroi se babai i tij e kishte shok.

E pas kësaj i akuzuari, Avni Llumnica iu prezantua dëshmitarit Hekuran Maviriq duke i thënë se ai është viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës.

Llumnica: Jam viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës

“Hekuran unë jam Avni Llumnica dhe jam viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës për të bërat e tyre që për mua janë ende të panjohura”, deklaroi Llumnica.

Edhe dëshmitari tjetër, Berat Rrustemi deklaroi se qëndron pas tërë asaj që kishte deklaruar më herët. Rrustemi është nipi i të akuzuarit, Avni Llumnica. Nga Prokurori i Shtetit, Burim Çerkini ai u pyet se të akuzuarin, Avni Llumnica e ka takuar para ditës kritike, dëshmitari tha se e ka takuar më herë madje edhe në ditën kritike e ka takuar pasi e kishte ftuar për të pirë kafe në lokalin ku ai punon.

Rrustemi deklaroi se edhe pse e ka takuar dajën e tij ai asnjëherë nuk ka qenë i njoftuar për këto ngjarje.

Çerkini: A jeni takuar në mars të 2017-tës me Llumnicën?

Rrustemi: Po jam takuar edhe ditën e kritike

“Çerkini:Sipas asaj që keni thënë a iu kujtohet në 2017 në muajin mars a jeni takuar me dajën me Avni Llumnicën[...]Rrustemi: Po. Çerkini: A iu kujtohet sa herë jeni takuar? Rrustemi: Nuk e di atë ditë kur ka ndodhur rasti po ama jemi takuar edhe më herët. Çerkini: Ditën e rastit a iu kujtohet në çfarë kohe jeni takuar? Rrustemi: Diku rreth orën 11:00 nëse nuk gabohem paradite...Çerkini:Kur jeni takuar a ka qenë Avnia i vetëm apo ka qenë me dikë. Rrustemi: I shoqëruar me dikë. Çerkini: A e dinë me këndë ka qenë i shoqëruar? Rrustemi: Jo veç pastaj e kam kuptuar se me kënd ka qenë më vonë e kam marr vesh tek në orën 3-4 përmes medieve në të njëjtën ditë. Çerkini: Ku jeni takuar? Rrustemi: E kam ftuar për të pirë kafe në lokalin tim”, deklaruan ata.

Pas dëgjimit të dy dëshmive u vendos që për dëshmitarët tjerë të verifikohet adresa e tyre e banimit dhe të sillen në gjykatë për të dhënë dëshminë, përkundër që prokurori i rastit, Burim Çerkini propozoi që përveç Njazi Sinanit, dëshmia e Nuhi Zekës, Gëzim Halitit dhe Faton Topallit vetëm të lexohen.

Por kjo u kundërshtua nga mbrojtja e dy të akuzuarve në këtë rast. Pastaj, trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli mori aktvendim që të verifikohen adresat e tyre dhe të sillen në gjykatore për të dhënë dëshminë.

Avokati i të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi lidhur me kërkesën e prokurorit për dëgjimin e dëshmitarëve kërkoi që ata të dëgjohen në gjykatë.

Krasniqi: Kërkoj të dëgjohen dëshmitarët e jo tu lexohet dëshmia

“Është problem të përmirësohen gabimet e prokurorëve gjatë mbledhjes së provave, po qesë do ishim ftuar ne si avokat kur janë dëgjuar këta dëshmitar qoftë tek prokurori, qofte në polici atëherë dilema se mund të lexohen këto deklarata nuk ekziston, nuk është hera e parë që prokurorët i rrezikojnë hetimet. Unë gjithsesi e mbështes kolegun Rudari që dëshmitarët të ftohen”, tha ai.

Edhe në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit, Avni Llumnica ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga masa e paraburgimit.

Rudari: Kërkoj lirimin nga paraburgimi të klientit tim

“Kërkoj nga trupi gjykues që të ndërprej masën e paraburgimit ndaj Avni Llumincën duke vlerësuar gjithnjë se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për të qëndruar nën masën e paraburgimit gjithnjë duke i bazuar në dispozita ligjore. Kemi ofruar edhe si masë dorëzanie pasuri të paligjshme e cila e mbi peshon edhe shumë herë barrën që i ngarkohet Avni Llumnicës, për ta bindur trupin gjykues dhe prokurorinë se Avni Llumnica për asnjë moment nuk do i shmanget asnjëherë kësaj procedure penale”, theksoi ai.

E këtë e kundërshtoi edhe prokurori i rastit, Burim Çerkini dhe i dëmtuari, Azem Vllasi. Ishte kundërshtimi i Vllasit i cili nxiti reagimin e të akuzuarit, Avni Llumnica.

Llumnica: Azem Vllasi do zbardhet ky rast, krejt kanë me dal fajtor përpos Avni Llumnicës

“Azem Vllasi do zbardhet nga A deri në Zh, të gjithë keni me qenë fajtor përpos Avni Llumnicës, ka me ardhur ajo ditë dhe e shohim o Azem Vllasi se e kam dashur me e zbulua krimin në Kosovë a me ndjek krimin unë po të betohem se kam qenë duke e ndjekur krimin kemi me zbukuru edhe shumë ngjarje të tjera kemi me i zbulua kurrë në jetën time nuk kam qenë kundër shqiptarëve. Të kam mbrojtur edhe në kohë të shkaut (serb)”, tha Llumnica i tensionuar.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 24 maj 2021 në orën 09:30.

Ndryshe, ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M. J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë J. në kryerjen e veprës penale.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale. Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat