​Komisioni për Buxhet miraton programin e Shpenzimeve të RTK-së për prill-qershor 2021

Aktuale

​Komisioni për Buxhet miraton programin e Shpenzimeve të RTK-së për prill-qershor 2021

Më: 28 prill 2021 Në ora: 12:35
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

(E plotësuar 12:53) - Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2021.

Ky miratim është bërë me kushtin që RTK të njësojë format e raportimit dhe t'i përshtatë projeksionet.

Komisioni në mbledhjen e sotme ka miratuar buxhetin për Komunën e Mitrovicës për vitin 2021.

Image

Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe raporti vjetor i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2020.

Miratohet raporti për shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin për shpenzime të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2021. Raporti është miratuar me vërejtje.

Ndërkohë që në këtë mbledhje temë diskutimi është bërë çështja e punësimit të dhëndrit të kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota.

Në mbledhjen e sotme, sërish deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica ka pyetur Bashotën rreth këtij punësimi.

"Javën e kaluar keni deklaruar se nuk qëndron pyetja ime për punësimin e dhëndrit tuaj", tha ai.

Kryetari i Bordit të RTK-së Sali Bashota, tha se asnjë familjarë i tij nuk punon në RTK.

"Jeni t’u u marrë shumë për fijen e një kashte. E kam dhënë përgjigjen javën e kaluar. Dhëndri im, asnjë familjarë i imi nuk punon në RTK. Dhëndri im ka punuar, nuk punon", tha ai.

Atij i ka reaguar deputeti i LVV-së Artan Korenica, i cili tha se me këtë punësim Bashota ka shkelur ligjin për zyrtarët publik.

"Ju keni shkel ligjet e vendit tonë, ligjin për zyrtarët publik, pra dhëndri juaj ka pasur kontratë dhe ky është konflikt i interesit. Keni shkelur ligjin për zyrtarët publik për konflikt interesi.

Sali Bashota, sërish i ka reaguar atij duke thënë se po e teprojnë për këtë temë.

"Unë nuk kam bërë kontratë me dhëndrin tim, kam menduar se kishte qenë 4 muaj ai kishte qenë 5 muaj. Ai nuk e ka vazhduar kontratën. Po më duket se po e teproni. E kuptoj edhe si formë shantazhi, jam autori i shumë librave dhe kjo është tepër. Sforcimi i sotëm është tejkalim i çdo deputeti, ky debat nuk i bënë nderë një deputeti" , tha ai.

Bashota ka refuzuar t'i përgjigjet deputetit të LVV Eman Rrahmani, në pyetjen se ai ka deklaruar se ai ka hyrë në RTK përmes lidhjeve të tjera.

Në këtë mbledhje, deputeti i LVV Visar Korenica ka pyetur drejtorin e përgjithshëm të RTK-së Ngadhënjim Kastrati lidhur me numrin e të punësuarve në RTK, e i cili tha se planifikon që këtë numër ta rrisë me qëllim të zhvillimit të RTK-së.

Deputeti i LVV Artan Korenica, i ka reaguar atij duke i thënë se kjo është strategji e rehatimit të familjarëve.

"Kjo është strategjia si të rehatojmë familjarët. Ne presim një qasje më strategjike", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat