Kurti, Borrellit: Dialogu nuk është neglizhuar nga ne

Aktuale

Kurti, Borrellit: Dialogu nuk është neglizhuar nga ne

Më: 29 prill 2021 Në ora: 13:30
Albin Kurti dhe Josep Borrell

(E plotësuar 15:10) -  Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë doku10mente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.

Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore, ku po zhvillon takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së.

Një ditë më parë, ai u tha gazetarëve në Bruksel se nuk do të merrte pjesë në takimin më 11 maj si pjesë e vazhdimit të dialogut me Serbinë. Takimi u njoftua fillimisht nga Borrel, gjatë vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel këtë javë.

Më parë, Kurti u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Një deklaratë e NATO-s tha se Stoltenberg theksoi se dialogu mbetet "mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor".

Gjatë ditës, në Bashkimin Evropian, Kurti do të do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionarë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces, sipas Brukselit zyrtar, ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe ​Borrell komenton “non paperët”: Lajme të rreme që po krijojnë ambient toksik

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell e ka quajtur lajm të rrejshëm dokumentin “non paper” për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomati evropian përmes një konference të përbashkët në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti tha se ai nuk ka marrë asnjë nga këto dokumente dhe se nuk punon me të njëjtat.

“’Non Peper’ duket se janë në modë, nuk kam marrë asnjë nga këto dokumente. Unë nuk punoj me ‘non paper’.

Për mua këto fantom dokumente nuk janë të rëndësishme, janë lajme të rrejshme dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me to. Dua t’i mohoj ato sepse këto lajme të rrejshme po krijojnë edhe ambient toksik në çështjen e dialogut”, tha ai.

***

Kurti jep detaje për rifilimin e dialogut, thotë se paraprakisht do ta takojë opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë.

Duke thënë se dialogu nuk po neglizhohet nga qeveria e tij, Kurti ka bërë të ditur se gjatë muajit maj do të takohet edhe me partitë opozitare në Kosovë për t’u përgatitur për fazën finale të dialogut.

Përmes një konferencë për medie, pas takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, Kurti tha se do të jetë në Bruksel në mesin e muajit maj për një darkë pune me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu nuk është neglizhuar nga ne, prandaj zëvendëskryeministri (Besnik Bislimi) është i ngarkuar me këtë çështje. Unë do të vij në mes të muajit maj në Bruksel në darkën që keni organizuar në mesin e liderëve të BE-së. Në këtë mënyrë besoj se do ta zhvillojmë kapitullin tjetër të dialogut për të realizuar marrëveshjet e arritura. Ne kemi nevojë për më shumë informacione të dokumenteve rreth marrëveshjeve të arritura në mënyrë që të përgatitemi. Të njëjtën kohë gjatë muajit maj ne do të takohemi me partitë opozitare në Kosovë për të pasur edhe mendimet e tyre për të pas edhe mendimet e tyre. Prandaj nuk duam të bëjmë gabime. Fillimisht do të kemi këtë takimin dhe në muajin qershor mund të kemi fillimin e kapitullit tjetër të dialogut”, tha ai.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që është thirrur nga Përfaqësues i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti në një konferencë për media pas takimit me Borrell ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është neglizhuar nga ai dhe Qeveria e tij.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar shefin e Diplomacisë Europiane, Josep Borrell.

Ky takim mes tyre, vie në vazhdën e vizitës që kryeministri i Kosovës është duke zhvilluar në Bruksel.

Paraprakisht, sot Kurti u prit në takim edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin diskutuan rreth paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon, e po ashtu edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kujtojmë se ishte Kurti refuzoi takimin me preisdentin serb që parashihej të mbahej më 11 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat