Kosova para rifillimit të bisedimeve me Serbinë

Aktuale

Kosova para rifillimit të bisedimeve me Serbinë

Më: 30 prill 2021 Në ora: 19:45
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i dha fund një vizite dyditëshe në Bruksel duke u zotuar se në qershor do të jetë i gatshëm për një takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshje normalizimi.

Kryeministri Kurti i cili refuzoi një takim që Bashkimi Evropian shpresonte ta organizonte me 11 maj, tha se muaji që po vjen do të jetë periudhë e përgatitjeve për bisedimet me Serbinë.

“Ne kemi nevojë për më shumë informacion dhe dokumente në lidhje me marrëveshjet e mëparshme dhe procesin në përgjithësi, në mënyrë që të përgatitemi”, tha ai ndërsa nxiti reagime të opozitës në Kosovë me kritikat ndaj qeverisë së ish kryeministrit Avdullah Hoti për mungesë informacionesh rreth marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruskel.

Ish-kryeministri Hoti në një reagim në llogarinë e tij në facebook, tha se “kryeminsitri aktual ka pranuar të gjitha informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e bisedimeve”, duke nënvizuar se mbetet i hapur që të ofrojë çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa ka shërbyer si kryeministër i vendit.

Ndërsa, Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka shërbyer zëvendëskryeministër në qeverinë paraprake tha se pohimet e kryeministrit Kurti janë të papërgjegjshme.

“Zoti Kurti e ka dokumentin të hartuar me detaje, me të gjitha pozicionet për tema në kryeministri, veç duhet me e lyp. E ka raportin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritanishme që e dinë shumë se ka ardhë edhe në Kuvend”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se gjatë majit do të mbajë takime edhe me partitë opozitare për të çështjen e bisedimeve.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Zërin e Amerikës se qeveria dhe opozita nuk duhet ta trajtojnë çështjen e bisedimeve vetëm nga këndvështrimi i interesave të tyre politike.

“Është mese e domosdoshme që ky proces të konsiderohet si proces shtetëror dhe të mos kthehet dhe njëherë si në të kaluarën në kusuritje ditore politike në mes të partive politike por që të lihen anash të gjitha këto zënka ta them ashtu me akuza dhe kundër akuza ditore”, tha ajo.

Zonja Krasniqi tha se caktimi i muajit qershor për vazhdimin e bisedimeve është një veprim i duhur pasi që sipas saj të dyja palët do të jenë të përgatitura për këtë proces.

“Nga maji në qershor nuk është një afat shumë i madh kohor, gjithsesi ne nuk presim që të ketë ndonjë shpërthim rreth dialogut gjatë këtij viti duke e ditur gjithashtu që në vitin e ardhshëm në Serbi ka zgjedhje presidenciale dhe nuk presim që të ketë një dialog të shpejt por gjithsesi presim që palët të rikthehen në tryezën e diskutimit dhe përgatitja sa më e mirë e tyre do të thotë edhe një proces më i mirë”, tha ajo.

Diplomatët janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve me shpresën për të arritur një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet që aspirojnë integrimet evropiane. Kushti kryesor për këto integrime është një marrëveshje për normalizimin e marrdhënieve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat