Vlora në krye të diplomacisë shqiptare?! Dëm apo dobi?!

Aktuale

Vlora në krye të diplomacisë shqiptare?! Dëm apo dobi?!

Më: 7 maj 2021 Në ora: 13:53
Hashim Thaçi dhe Vlora Çitaku

Ka disa zëra mediatikë në vend që kanë hedhur në eter një mundësi sipas të cilës Edi Rama do të thërrasë për shefe të diplomacisë shqiptare, Vlora Çitakun, ish-ambasadoren e Kosovës në OKB dhe një nga njerëzit më të afërt të Hashim Thaçit.

Zonja Çitaku ka një karrierë të gjatë dhe të lakmueshme politike dhe diplomatike në Kosovë, nga zëdhënëse e Kryeministrit të Kosovës, zv.ministre e Jashtme e deri ambasadore në Nju Jork.

Në veprimtarinë e saj diplomatike, Çitaku u njoh për duelet e suksesshme me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçic në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për Kosovën.

Edhe në debatin e diskursin publik, Vlora ka mbajtur shpesh qëndrime të qeta, profil civil e qytetar.
Por a do të ishte ajo një zgjidhje e mirë për të drejtuar diplomacinë shqiptare në mandatin e tretë të Edi Ramës si Kryeministër?
Sigurisht në këtë mandate Edi Ramës i duhet një diplomat kalibri, madje të jetë sa më pak politikan në drejtimin e Ministrisë së Jashtme meqë në horizont është Konferenca Ndërqeveritare për të hapur kapitujt e negociatave me BE-në dhe për të qepur ato relacione që Babloku i ka shkepur me deklaratat e tij abusive.

Një emërim i tillë, së paku do të shërbente si provokativ, pak spektakolar dhe më shumë se do të ndreqte, do të prishte punë.
Se do nisnin më shumë zhurmë se me “adolishentin” e Batonit që na “ndriti të tërë” me “euridicionin e tij”. Fjala është për Gent Cakajn që tashmë është harruar fare.

Por më shumë se kjo, sjellja e një njeriu të afërt të Hashim Thaçit në qeverinë e Shqipërisë, do të komplikonte marrëdhëniet me aleatët. Në radhë të parë, me Berlinin zyrtar.

Siç dihet tashmë Hashim Thaçi, ka qenë ‘thikë e briks’ me Gjermaninë prej shumë vitesh, e gota u derdh në të famshmin samit të 2018-s, kur Hashimi la demonstrativisht takimin me Angela Merkelin dhe vrapoi te Richard Grenelli. Një aventurë që i kushtoi Hashimit, Kosovës, Grenellit po edhe Donald Trumpit.

Gjermania është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë por edhe i shqiptarëve në rajon. Gjermania është vendi që i ka dhënë Shqipërisë e Kosovës, pavarësinë energjitike, duke qenë të varur nga Serbia për vite e vite, me financimin direkt të qeverisë së Berlinit.

Sot me investimet Gjermane, Shqipëria, por edhe Kosova kanë hyrë në tregun Europian të energjisë dhe lundrojnë lirshëm, çka është një hap gjigand. Gjermania është çelësi real politik për të hyrë në BE Shqipëria dhe Kosova; është porta politike dhe diplomatike, ku mund të zgjidhen por edhe të mbyllen çështjet e rëndësishme.

Vlora Çitaku natyrisht nuk është një politikane anti-gjermane, përkundrazi, ajo ka treguar se është një properëndimore në qëndrimet e saj, por emërimi i saj në Shqipëri do të përbënte e në fakt përbën një kontekst, e jo një mekanizëm.

Vlora është vërtetë një diplomate e talentuar, por Shqipëria ka mjaft të tillë, me një bagazh të lartë kulturor dhe eksperiencë edhe më të madhe se zonja Çitaku për të lundruar në detin e madh e të vështirë të diplomacisë europiane.

Nëse Shqipëria do të duhej të emëronte një personalitet të Kosovës apo trevave në qeveri, duhet ta bënte atë në atë dikaster ku bashkimi është fakt. Në arsim për shembull; po jo me një axhami si Besa Shahini që refuzonte standardin në të folur e në të shkruar, por një personalitet kombëtar. Mehmet Kraja është një shembull tipik por natyrisht ka edhe të tjerë, që në nivel akademik, publik, por edhe politik që janë shumë përbashkues. Dreqi e mori, edhe kompetent i fushës.

Jo se nuk mund ta drejtonte diplomacinë një intelektual nga Kosova, përkundrazi, por kjo ndoshta do t’i takonte një faze më të avancuar. Do Rama të provokojë? Le të zgjedhë një ushtarak të lartë të Kosovës e ta vendosë në krye të ministrisë së Mbrojtjes, se ka edhe traditë që nga Isa Boletini!

Të vërë në krye të AKSH-it një nga gjenitë informaticienë që Kosova ka me okë, të sjellë një menaxher ekonomik të aftë të drejtojë ekonominë e të tjera e të tjera.

Nëse e mbani mend kohën kur Thaçi u çmend, pra sapo Albin Kurti u shkarkua në 2020-n si Kryeministër, Baton Haxhiu thërriste nëpër studio se Gjermania ka dështuar, nuk di të drejtojë Europën dhe nuk e zgjidh dot Kosovën. Mendo sot një tjetër njeri që e adreson Batoni, të jetë në krye të diplomacisë shqiptare. Do të ngjante si një provokim i hapur i Tiranës me Berlinin.

Në vitin 2014, në Tiranë, gjatë një simpoziumi në ministrinë e Jashtme, ambasadori i atëhershëm i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann, u përplas ashpër me ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, debat që bëri shumë bujë, ngaqë i cilësoi si të “korruptuar e inkriminuar” njerëzit e Hashim Thaçit. Hoxhaj u largua menjëherë nga takimi në panik.

Ndaj një dëgjim i mendjes së lodhur së Batonit nga Rama për të emëruar sërish një njeri të pëlqyer nga ai në ministrinë e Jashtme, më shumë se do të ishte kundër Albinit, do t’i bënte keq vendit,shkruan Pamfleti. Një provokacion nuk bën lajm në mandatin e tretë, do të merrej si ekzagjerim i tepruar, e akoma më keq si një qëllim jashtë çdo logjike

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat