Shala: Droga e sekuestruar nuk ishte e përzier me mishin

Aktuale

Shala: Droga e sekuestruar nuk ishte e përzier me mishin

Më: 17 maj 2021 Në ora: 23:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Drejtor i Drejtorisë Antidrogë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, ka thënë se kokaina e cila ka ardhur në Kosovë nga Brazili ka qenë në një kontejner i cili barte mish.

Sipas tij, kjo substancë nuk ka qenë e përzier me mishin.

Ai ka thënë se deri te vendimi për ndërhyrje nga Policia ka ardhur për shkak se të dyshuarit kanë vendosur ta shkarkojnë ngarkesën.

Shala ka thënë se brenda kontejnerit ka pasur paketime të mishit dhe kokainës por të njëjtat nuk kanë qenë të përziera me njëra-tjetrën.

Sipas tij, gjatë intervenimit personat e dyshuar kanë shkarkuar vetëm paketimet me kokainë.

“Disa persona janë arrestuar në vendin e ngjarjes e disa të tjerë në lokacione të tjera. Ne do të kërkojmë edhe nga Brazili për origjinën e vendit se si ka ardhur deri te futja e kokainës në Kosovë. Sipas vendbanimeve, kemi realizuar bastisje në Prishtinë, Lipjan, Gjilan, Pejë dhe Obiliq”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar se deri në këtë fazë janë siguruar prova për shtatë persona si të implikuar, porse gjatë hetimit mund të rritet numri i personave të dyshuar.

Ai ka thënë se nuk e dinë se nga e kanë marrë mediat e Shqipërisë informacionin për ardhjen e drogës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat