​Haradinaj deklarohet për largimet nga AAK-ja

Aktuale

​Haradinaj deklarohet për largimet nga AAK-ja

Më: 18 maj 2021 Në ora: 13:33
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar për largimet e disa zyrtarëve nga kjo parti.

Përmes një njoftimi për media, Haradinaj ka thënë se ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti.

“Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, ka thënë Haradinaj.

Më tej Haradinaj ka thënë se Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjve, të gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

E nderuar anëtarësi dhe struktura të Aleancës,

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale.

Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Koha në të cilën po veprojmë, është kohë e sfidave të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjve, ta gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet. Kjo garë, rezultatin e parë do ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme.

Duke iu uruar sukses mijëra anëtarëve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët.

Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave demokratike, në shërbim të Atdheut e të qytetarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat