Projekti ilegal “Lugina e Diellit”, drejt jetësimit

Aktuale

Projekti ilegal “Lugina e Diellit”, drejt jetësimit

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 20:31
Lugina e Diellit

Rreth 300 familje serbe pritet të zhvendosen për banim në lagjen e ndërtuar ilegalisht nga Serbia, në territorin e Republikës së Kosovës, në Zveçan – vetëm tre kilometra larg lumit Ibër.

Madje, disa prej njësive banesore të ndërtesave kolektive ku ka përfunduar puna, tashmë janë të banuara.
Ky investim në vlerë rreth 14 milionë euro është duke u kryer në një sipërfaqe prej 24 hektarësh, kur pos shtëpive dhe ndërtesave për banim kolektiv, parashihen edhe ndërtimi i shkollës dhe shtëpisë së shëndetit.

Ndërtimi i lagjes Lugina e Diellit ka nisur dhe po vazhdon pa lejen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë ministri, por as në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë projekt dhe mënyrën se si Qeveria do ta trajtojë këtë projekt ilegal.

Përveç këtu, Serbia ka financuar edhe ndërtimin e dhjetëra ndërtesave për banim kolektiv në Mitrovicën e Veriut – nga Lagjja e Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejt e deri në Suhodoll.

Pasi këto investime të Serbisë i vlerësoi si kolonizim dhe vazhdim të okupimit, Fevzi Beqiri një nga përfaqësuesit e shqiptarëve matanë lumit Ibër tha se banorët e vendosur në këto banesa nuk janë serbë të zhvendosur nga Kosova.

Pasi përmendi zhvendosjen e më shumë se 12 mijë shqiptarëve nga Mitrovica e Veriut, djegien e rreth 300 shtëpive dhe uzurpimin e rreth 500 banesave të shqiptarëve, Fevzi Beqiri kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi veprime urgjente.

“Qeveria sa më parë të formojë një komision qeveritar dhe të vijnë ta shohin gjendjen në terren dhe ti parandalojnë ndërtimet ilegale që po okupohet veriu i Kosovës. Unë e ftoj edhe qeverinë edhe parlamentin që një seancë sa më shpejt ta mbajnë vetëm një rend dite ku do të jetë veriu në fokus,”- tha Beqiri.

Ndonëse zyrtarisht është thënë shtëpitë dhe banesat se janë të destinuara për serbët e zhvendosur gjatë dhe pas luftës, prapa kamerës drejtues të institucioneve lokale në katër komunat në veri të lumit Ibër kanë pranuar se në to planifikohet të vendosen edhe serbë që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat