IKD: Feja, faktor kontribues në proceset e dialogut

Aktuale

IKD: Feja, faktor kontribues në proceset e dialogut

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Mediterranean Women Mediators Network, të mërkurën ka organizuar tryezën virtuale për Bashkësitë Fetare dhe Dialogun Ndërkomunitar, në kuadër të projektit “Promovimi i Lirisë Fetare dhe Dialogut Ndëretnik në Kosovë”.

Pjesëmarrës në këtë tryezë virtuale ishin, ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëkohësisht anëtare e rrjetit Mediterranean Women Mediators Network, znj. Edita Tahiri; përfaqësuesit nga bashkësitë fetare në Kosovë, kryeimami Vedat Sahiti, përfaqësuesi i Kishës Katolike Don Mikel Sopi, përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore Driton Krasniqi si dhe z. Habit Hajredini nga Zyra e Kryeministrit.

Në këtë tryezë, Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj theksoi se feja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një faktor i fuqishëm kontribues në proceset e dialogut. Prandaj sipas tij, është thelbësore përfshirja e bashkësive fetare në përpjekjet diplomatike për ndërtimin e paqes dhe tolerancës ndëretnike.

Miftaraj theksoi se feja dhe bashkësitë fetare, kombinuar edhe me përpjekjet e faktorëve të tjerë, mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve midis popujve në konflikt dhe madje edhe zgjidhjen e konflikteve.

Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se liritë fetare vetëm si të drejta, mund të kufizohen nëse nuk ka harmoni fetare. Për me tepër, znj. Tahiri theksoi se dialogu nuk bëhet vetëm në nivelin politik apo qeveritar, mirëpo është shumë më i fuqishëm kur i njëjti realizohet në nivelin e shoqërisë civile dhe në nivelin lokal.

Zonja Tahiri tha se Kosova është model i bashkëjetesës fetare dhe se shqiptarët kanë traditë ruajtjen e vlerës së diversitetit. Ajo tha se Kosova është shtet laik dhe se feja duhet të rrijë larg prej shtetit dhe institucioneve publike. Sipas saj, Kosova nuk duhet të ndjek shembullin e Greqisë apo Serbisë, ku feja ka shtrirje të madh në ato shtete dhe në popull.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare, pjesëmarrës në tryezë, u pajtuan se bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare është një virtyt i trashëguar i shqiptarëve dhe mbi këtë virtyt, ata thanë se janë të gatshëm për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Ndër të tjera, përfaqësuesit e bashkësive fetare thanë se ata janë gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog me Kishën Ortodokse Serbe, pavarësisht ngurrimit të kësaj të fundit.

Pjesëmarrësit e takimit vlerësuan këtë aktivitet për rëndësinë që ka në përmirësimin e dialogut mes komuniteteve në Kosovë duke theksuar se komunikimi në mes të institucioneve, bashkësive fetare, shoqërisë civile dhe mediave është i domosdoshëm për promovimin e një dialogu të mirëfilltë.

Ky diskutim do të rezultojë në një dokument të politikave i cili do të trajtojë temën e lirisë fetare dhe dialogut ndërkomunitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat