Kosovë, ndikimi i bashkësive fetare në dialogun ndëretnik

Aktuale

Kosovë, ndikimi i bashkësive fetare në dialogun ndëretnik

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 20:48
Prishtinë

Përfaqësues të bashkësive fetare të shqiptarëve në Kosovë thonë se bashkëpunimi me komunitetin fetar serb do të ndihmonte procesin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe shmangien e tensioneve.

Këto komente u bënë gjatë një konference të organizuar nga Instituti për Drejtësi në Kosovë me temën “ndikimi i bashkësive fetare ne dialogun ndëretnik”.

Vedat Sahiti, nga Bashkësia Islame e Kosovës tha se kjo bashkësi angazhohet vazhdimisht për dialog dhe komunikim me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ne punojmë vazhdimisht në këtë drejtim me qëllim të eliminimit të barrierave që i krijoi lufta e fundit dhe me qëllim të çrrënjosjes së urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes. Mundohemi që gjithnjë të kthejmë besimin e humbur mes fqinjëve dhe komuniteteve. Angazhohemi për ndërtimin e urave të mirëbesimit dhe mirëkuptimit që fëmijët dhe brezat e rinj të mos e shohin njëri tjetrin me mosbesim dhe hasmëri. Ky është mbase edhe obligim si prijës fetarë”, tha ai.

Don Mikel Sopi nga Kisha Katolike tha se përgjatë komunikimit me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, është përçuar mesazhi i dialogut dhe bashkëjetesës.

“Sigurisht që komunikimi ka qenë më i vështirë në dekadat e kaluara dhe vërehet një përafrim i dukshëm viteve të fundit por njëkohësisht mbetet ende kujdesi dhe një lloj distance por megjithatë mendoj që vërtetë është dhënë maksimumi nga gjithë krerët fetarë që me të vërtetë të kemi apo thjesht të japim një mesazh të bashkëjetesës kushdo qofshin edhe në sferën ndëretnike”, tha ai.

Sipas organizatorëve të konferencës, me gjithë përpjekjet e shumta nga faktorët ndërkombëtarë për një dialog ndërmjet besimeve në Kosovë një gjë e tillë ka munguar për një kohë dhe institucionet duhet të ndërmarrin përpjekje shtesë për të përfshirë sa më shumë bashkësitë fetare në ndërtimin e paqes midis komuniteteve në Kosovë.

Ish zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se ardhmëria në paqe dhe në drejtësi mund të ndodh pikërisht nëpërmjet dialogut ndëretnik dhe duke pranuar diversitetin fetar në vend.

“Në historikun e luftërave e agresioneve ne Ballkan feja është përdorur si instrument për të mobilizuar nacionalizma kundër popujve tjetër dhe kjo ka qenë tipike në Serbi dhe ka pasur edhe përpjekje që lufta në mes të Kosovës dhe Serbisë të stigmatizohet si fetare apo Serbisë dhe Bosnjës. Në fakt këto luftëra nuk kanë qenë fetare se po të ishin fetare nuk do të ndodhnin luftëra në mes të serbëve dhe kroatëve apo sllovenëve që janë me origjinë të krishterë pra kanë qenë instrumente dhe ky është një aspekt që duhet trajtuar dhe të jepen mesazhe që feja jo çdo kund është burim i konfliktit”, tha ajo.

Vëzhguesit bën thirrje që bashkësitë fetare të marrin rolin e tyre në ruajtjen dhe shtimin e tolerancës fetare në vend, që edhe më tej cilësohet si një nga vlerat më të çmueshme të Kosovës./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat