“Albin Kurtit nuk i është ofruar arma në Drenicë”/ Loshi “gozhdon” Bekim Haxhiun: Ishte komandant fshati, gjumin e bëri në shtëpi...

Aktuale

“Albin Kurtit nuk i është ofruar arma në Drenicë”/ Loshi “gozhdon” Bekim Haxhiun: Ishte komandant fshati, gjumin e bëri në shtëpi...

Nga: N.Sh Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:35
Albin Kurti

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe reporteri i luftës, Liri Loshi, përmes një postimi në Facebook, thotë se nuk është e vërtetë ajo që ka thënë Bekim Haxhiu se i është ofruar arma Albin Kurtit në Likovc të Drenicës.

Loshi thotë se Kurtit nuk i është ofruar arma në Drenicë, ndërsa për Haxhiun të njohur si Kamishi, pohon se ai ishte vetëm komandat lokal i fshatit të tij dhe asgjë më shumë.

Sipas tij, Kamishi natën ka fjetur në shtëpinë e tij, derisa Kurti nga Prishtina nuk ka pasur mundësi të shkon në Drenicë.

“Pastaj me çfarë kompetence flet Bekim Haxhiu për ofrimin e armës që i është bërë zotit Kurti në Likovc? Zoti Haxhiu ka mundur të jetë në Likovc me ndonjë detyrë brenda ditës, por Likovci nuk ka qenë vendi ku ai ka vepruar. Prandaj, me  çfarë kompetence flet ai kur thotë se Kurtit iu ofrua arma në Likovc, por ai e refuzoi?! Pra, zoti Haxhiu ishte vetëm një komandant lokal në fshatin e tij, asgjë më tepër”, shkruan Loshi.

Ai pyet se pse Albin Kurti nga Prishtina duhej të vinte e të vepronte në Likovc.

“Albin Kurti nuk ishte ndonjë epror ushtarak, as nuk ishte mjek që do të mjekonte të plagosurit. Nëse ai duhej ta ndihmonte UÇK-në, atë nuk do të mund ta bënte askund më mirë sesa nga aty ku e ka ndihmuar, pra nga zyra e UÇK-së në Prishtinë. Nëse duhej te armatosej dhe ta veshte uniformën, pse ta bënte atë pikërisht në Drenicë, kur më afër e kishte zonën e Llapit, apo të Shalës?”, shkruan tutje ai.

Shkrimi i plotë:

Albin Kurtit nuk i është ofruar arma në Drenicë

Pse Albin Kurtit me banim në Prishtinë është dashur t’i afrohet arma në Likovc? Bekim Haxhiu që flet për këtë ofertë interesante ndaj Kurtit e di mirë se pothuaj të gjithë ushtaret e Zonës operative të Drenicës, me ndonjë përjashtim, kanë qenë banorë të fshatrave të atij regjioni. UÇK në Drenicë nuk kishte kazerma ushtarake, apo banim kolektiv të ushtarëve me përjashtim të Brigadës 111, përkatësisht njësisë speciale që ishte në trajnim intenziv për detyra të veçanta luftarake. Nuk kishte mundësi që as mjekëve specialistë që vinin në Likovc nga Prishtina, t’iu sigurohej bujtja në Drenicë.

UÇK në tërë Kosovën kryesisht ka funksionuar si një formacion i përbërë nga luftëtarët që vinin nga po ato fshatra ku vepronin  njësitë ushtarake. Pra, secili ushtar në mbrëmje ishte në shtëpinë e tij. Vetë Bekim Haxhiu ka vepruar në fshatin e tij dhe ka banuar në shtëpinë e tij në Terrnavc. Unë, pasi që më është djegur shtëpia në muajt e parë të luftës, në qershor 1998, jam tërhequr në fshatin Leçinë, i cili nuk ishte shkatërruar ende nga ofensiva serbe. Shumë ushtarë të lagjes sime janë detyruar t’i dorëzonin armët në komande, nder ta edhe vëllau im, për faktin se nuk kishin ku të bënin konak. Disa nga këta ushtarë nuk kanë mundur të kthehen asnjëherë deri më 10 qershor 1999 kur ka hyrë NATO në Kosovë. Pra, ata nuk kanë pasur mundësi që të vepronin askund tjetër pas shkatërrimit fizik të shtëpive të tyre.

Pastaj me çfarë kompetence flet Bekim Haxhiu për ofrimin e armës që i është bërë zotit Kurti në Likovc? Zoti Haxhiu ka mundur të jetë në Likovc me ndonjë detyrë brenda ditës, por Likovci nuk ka qenë vendi ku ai ka vepruar. Prandaj, me  çfarë kompetence flet ai kur thotë se Kurtit iu ofrua arma në Likovc, por ai e refuzoi?! Pra, zoti Haxhiu ishte vetëm një komandant lokal në fshatin e tij, asgjë më tepër. Si komandant, megjithatë, është shquar për aksione luftarake ndaj forcave serbe. Në një rast, si reporter lufte, kam raportuar për një aksion te udhëhequr nga ai. Por, opinioni duhet ta dijë se Bekim Haxhiu e ka bërë gjumin çdo nate në shtëpinë e tij në Terrnafc. Atëherë, pse Albin Kurti nga Prishtina duhej të vinte e të vepronte në Likovc. Albin Kurti nuk ishte ndonjë epror ushtarak, as nuk ishte mjek që do të mjekonte të plagosurit. Nëse ai duhej ta ndihmonte UÇK-në, atë nuk do të mund ta bënte askund më mirë sesa nga aty ku e ka ndihmuar, pra nga zyra e UÇK-së në Prishtinë. Nëse duhej te armatosej dhe ta veshte uniformën, pse ta bënte atë pikërisht në Drenicë, kur më afër e kishte zonën e Llapit, apo të Shalës?

Pra, nuk ka pasur asnjë motiv që Albin Kurti në kohë lufte të uniformohej dhe te vepronte në Drenicë. Likofci ka qenë njëfarë qendre për Drenicën, por për Kosovën ka qenë Prishtina. UÇK-ja ka pasur nevojë për zëdhënës në Prishtinë, jo në terren. Atje kishte zëdhënësit lokalë. Pastaj ne kemi pasur mungesë të madhe të armeve dhe të uniformave. Kemi pasur ushtarë që kanë pritur me muaj për një armë. Prandaj, ai komandant që i ka ofruar armen kujtdo jashtë rendit që ishte në pritje, duhej të ketë qenë shumë i papërgjegjshëm, sepse për ta marrë nje armë kishte rend dhe rregull.

Me një fjalë, pretendimet se Albin Kurtit i është ofruar armatosja në Likofc, nuk janë gjë tjetër veçse një propagandë denigruese kundër tij. Ky është një veprim i turpshëm që e bën Bekim Haxhiu - Kamishi bashkë me kamishët tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat