Kurti i kundërpërgjigjet ashpër Vuçiqit, publikon hartën e dëshminë e oficerit serb për gjenocidin në Kosovë

Aktuale

Kurti i kundërpërgjigjet ashpër Vuçiqit, publikon hartën e dëshminë e oficerit serb për gjenocidin në Kosovë

Nga: A.Zh Më: 17 qershor 2021 Në ora: 17:58
Dejan Plasheviç

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shqiptarët nuk kanë asnjë dëshmi se serbët kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve.

Atij për këtë deklaratë i është kundërpërgjigjur kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, përcjell Bota sot.

Ai ka publikuar një dëshmi të oficerit serb që dëshmon të kundërtën e asaj që thotë Vuçiq.

Dejan Plasheviç, nënoficier i Brigadës 63 të forcave speciale serbe i stacionuar gjatë luftës në Kosovë, në gusht të vitit 2018 kishte dëshmuar para prokurorisë së Kosovës si dëshmitar i krimeve të Serbisë.

Ai përveç dëshmisë së tij në vendin e ngjarjes kishte sjellë me vete edhe Hartën Origjinale Ushtarake, të cilën sipas Kurtit, sot e zotëron AKI, e përmes së cilës tregoheshin saktë pikat ku serbët kishin kryer vrasjen e më shumë se 500 shqiptarëve të pafajshëm.

Kurti ka treguar se dy muaj më pas, institucionet e Kosovës kishin nisur gërmimet, mirëpo kishin injoruar lokacionet e shënuara në Hartën Ushtarake.

Ai ka paralajmëruar se do të publikojë edhe dëshmi të tjera, në lidhje me këtë çështje.

Postimi i Kurtit në Facebook:

Teksa Vuçiq thotë sot para mediave se shqiptarët nuk kanë asnjë dëshmi se serbët kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve - unë po publikoj dëshminë e oficerit serb që dëshmon krejt të kundërtën.

Regjimi serb ka bërë dhe bën të pamundurën për të fshehur gjurmët e masakrave dhe zhdukur dëshmitarët, por ja që e vërteta sado vonë të shkojë del në dritë.

Me 24 Gusht 2018, unë në bashkëpunim me Republikanin Nikola Sandulovic, kemi organizuar që ta sjellim në Kosovë personalisht dëshmitarin, Dejan Plasheviç, Nënoficier i Brigadës 63 të forcave speciale serbe i stacionuar gjatë luftës në Kosovë.

Këta vepronin në rajonin e Drenicës (Izbicë, Kladenicë e tjera) - ku janë kryer shumë krime ndaj civilëve shqiptarë.

D. Plasheviç, përveç dëshmisë së tij në vendin e ngjarjes e solli me vete edhe Hartën Origjinale Ushtarake (origjinalin e së cilës sot e zotëron AKI). Në të shihen qartë dhe saktësisht pikat se në cilat vende serbët kanë kryer vrasjet e më shumë se 500 civilëve shqiptarë.

Sipas dëshmitarit Dejan Plasheviç, në pjesën e prapme të Hartës Ushtarake janë mbajtur shënime të sakta të shkruara me dorë, mbi lokacionet dhe datat kur janë ekzekutuar civilët e pafajshëm shqiptarë.

Vetëm me një vend janë ekzekutuar 145 persona (shqiptarë) dhe pas një jave janë nxjerrë nga varri masiv dhe janë transportuar në Mitrovicën Veriore. Kufomat e tyre janë djegur në furrat e Trepçës për t’i humbur gjurmët e kësaj masakre.

Për ta shtjelluar këtë çështje me një seriozitet dhe profesionalizëm më të madh, unë atë kohë e pata përfshirë edhe AKI-në e Kosovës, por në të njëjtën kohë duke e informuar edhe Inteligjencën...

Dëshmitari Dejan Plasheviç është marrë në pyetje edhe nga prokuroria e Kosovës.

E gjithë dëshmia është regjistruar nga AKI, ndonëse AKI kurrë nuk më mundësoi një kopje të këtij regjistrimi.

Pas dëshmisë së dëshmitarit kyç të kësaj masakre kanë kaluar disa muaj derisa instuticionet tona janë aktivizuar të gërmojnë në vendin e cekur nga dëshmitari Plasheviç ku janë ekzekutuar afër 145 civilë shqiptarë nga forcat serbe.

Pas këtij gërmimi më kanë ĺajmëruar se nuk kanë gjetur asgjë!

Duhet cekur se ata kanë gërmuar vetëm në një vend duke injoruar lokacionet e shënuara në Hartën Ushtarake.

Kujt nuk i konvenonte që mos të gjenden varrezat masive të shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat militare dhe paramilitare serbe?!

- Pse i duheshin më shumë se dy muaj instuticioneve tona për të nisur gërmimet në vendin e ngjarjes ku dëshmitari Plasheviç na pati treguar me gisht se "këtu kanë qenë 145 shqiptarë të ekzekutuar dhe pas një jave prapë janë nxjerr dhe transportuar në Mitrovicën veriore për t’i humbur gjurmët".

- Pse nuk u hulumtuan edhe pikat të tjera ku sipas Hartës Ushtarake dhe dëshmitarit Plasheviq tregojnë se aty kanë ndodhur edhe ekzekutime të tjera në atë rajon?!

- Pse, kurrë nuk u publikua në Media dëshmia e D. Plasheviç, një oficer i lartë i forcave serbe, i cili ishte i stacionuar me muaj të tërë në atë rajon ku janë kryer të gjitha këto krime?

Publikimi i rasteve të tjera në vijim...

Faton Kurti, Kryetar i REK

Fotot e Hartës Ushtarake dhe skicat e shkruara me dorë nga dëshmitari

Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat