​Osmani në SEECP: BE duhet ta mbajë premtimin për heqjen e vizave

Aktuale

​Osmani në SEECP: BE duhet ta mbajë premtimin për heqjen e vizave

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 18:54
Pamje nga takimi

Presidentja Vjosa Osmani në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) sot bëri edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë, teksa ia kujtoi BE-së premtimin e dhënë më herët për liberalizim të vizave.

Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Osmani foli mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë të veçantë ajo foli për rolin që Kosova po luan në krijimin dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Duke e falënderuar organizatorin e sivjetmë, Turqinë, për organizimin e samitit të sivjetmë, Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, me gjithë sfidat e jashtëzakonshme me të cilat u ballafaquam për shkak të pandemisë COVID-19.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ajo theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.

“Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e tjetrit", tha ajo.

Sipas saj, rajoni ka bërë përpjekje të mëdha, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë në rajon.

“Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.

Osmani u bëri edhe një herë thirrjeve vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën që ta njohin sa më parë, ngase është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në tërësi sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

“Republika e Kosovës ka krijuar besim të qartë se integrimi euroatlantik është synim i qytetarëve të saj, por ne duam të sigurohemi që ky proces do të përshpejtohet, për ta garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për ta rritur mirëqenien e qytetarëve të rajonit”, tha Osmani.

Ajo tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në NATO, teksa kujtoi se Bashkimi Evropian duhet mbajë premtimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe BE duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit tonë, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”, tha presidentja Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat