Reagon bordi i RTK-së pas inicimit të shkarkimit

Aktuale

Reagon bordi i RTK-së pas inicimit të shkarkimit

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 17:28
RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka thënë se inicimi i shkarkimit të Bordit të RTK-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtetit Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është i ndërtuar mbi kualifikime politike rreth proceseve në RTK dhe jo mbi të vërtetat faktike.

Bordi i RTK-së gjithashtu thotë se ka argumentuar dhe faktuar në secilin raportim të komisioneve përkatëse të gjitha vendimet dhe veprimet e veta, në përputhje të plotë me rregulloret e veta dhe ligjin e RTK-së.

“Kujtojmë se raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2020 e ka cilësuar atë të pakualifikuar, duke renditur si një ndër raportet më të mira të pasqyrave financiare të RTK-së. Sa i përket auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), konfirmojmë se Bordi i RTK-së ka qenë dhe është gjithmonë i hapur të auditohen pasqyrat financiare të këtij mediumi”.

“Më 22 prill 2021, Bordi i RTK-së unanimisht kishte njoftuar ZKA-në se është e mirëpritur që të vijë dhe të bëjë auditimin financiar. Sa i përket auditimit të mëparshëm, ZKA ka audituar RTK-në mbi performacën. Për auditimin financiar, ZKA ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me kufizimet ligjore, prandaj i është drejtuar Zyrës Ligjore të Kuvendit për të sqaruar kompetencën e saj rreth auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së. Megjithëkëtë, RTK, paraprakisht, nëpërmjet deklaratës publike, të lëshuar më 22 prill 2021, ka bërë të ditur se mirëpret ZKA-në të vijë dhe të auditojë pasqyrat financiare të RTK-së, pavarësisht përgjigjes nga Zyra Ligjore e Kuvendit”.

Bordi i RTK-së në krye me Sali Bashotën thotë se ka qenë dhe mbetet i hapur për të dhënë përgjigje ndaj Kuvendit të Kosovës, si themelues i RTK-së, për çdo çështje që ka të bëjë me fushveprimtarinë e tij.

Po ashtu, ky bord ka njoftuar se shpejt do të dalë për publikun me një përgjigje të detajuar për të gjitha dilemat e ngritura publikisht nga komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, qëllimisht kanë deformuar të vërtetën mbi punën dhe zhvillimin e RTK-së.

“Inicimi i këtij shkarkimi, në këtë mënyrë, i Bordit të RTK-së, është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe mbi të gjitha shkel të drejta kushtetuese, të cilat burojnë nga mandati i anëtarëve të Bordit. Lufta politike kundër mediumit publik, e ndërtuar mbi “faktet alternative”, është e padrejtë dhe me qëllim të vetëm të instrumentalizimit të mediumit publik për nevojat politike”.

Bordi i RTK-së përbëhet nga Sali Bashota si kryetar, Agron Gashi anëtar, Lirim Geci, anëtar, Fadil Miftari, anëtar, Ilir Bytyçi, anëtar, Bajram Mjeku, anëtar, Petrit Musolli, anëtar dhe Albinot Maloku, anëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat