Përplasjet me partnerët, në dëm të mbështetjes për dialogun

Aktuale

Përplasjet me partnerët, në dëm të mbështetjes për dialogun

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 16:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës e sheh dialogun me Serbinë si një proces që duhet të përgatitet mirë dhe në koordinimin të ngushtë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thonë zyrtarët e ekzekutivit të Kosovës.

Deputeti i subjektit më të madh opozitar në vend, Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti vlerëson që Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e kujdesshme dhe të mos përplaset me qëndrimet e vendeve partnere dhe aleate të saj lidhur me këtë proces.

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, konsideron që Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e paqartë lidhur me qëndrimet dhe qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë. Sipas saj, qëndrimet e ekzekutivit vazhdojnë të përplasen me qëndrimet e vendeve partnere dhe aleate të Kosovës përballë dialogut dhe rezultateve të saj.

Në këtë kontekst, deputeti Haliti dhe profesoresha Lushaku-Sadriu, i shohin edhe qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se marrëveshjet e deritashme të arritura në dialogun në Bruksel duhet të rishikohen, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet si njëetnik, si dhe ngritjen e pikëpyetjeve nga ana e tij për zbatimin e zotimeve të nënshkruara në Uashington.

Më 4 shtator të vitit të kaluar, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte nënshkruar zotimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se zotimet në Uashington janë nënshkruar “nga një qeveri jolegjitime dhe më pas edhe jokushtetuese”.

Kryeziu: Koordinimi i domosdoshëm mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka bërë të qartë qëndrimin e qeverisë që ai drejton sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë dhe përfshirjes së vendeve partnere të saj në këtë proces.

“Në dialogun ardhshëm në mes Kosovës dhe Serbisë, të përgatitur mirë, të drejtë e me parime të qarta, ne e shohim koordinimin e ngushtë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësuesit të procesit të dialogut, Bashkimin Evropian, jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të domosdoshëm”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Haliti: Deklaratat e mëhershme pengojnë pranimin e realitetit

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt ky më i madhi opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e lirë, se qeveria aktuale e vendit duhet të definojë qartë qasjen ndaj dialogut me Serbinë, fillimisht para deputetëve në kuvend. Për më shumë, sipas tij, ajo duhet t’i ruajë raportet me vendet partnere të Kosovës, të cilat, në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshira në zhvillimet në dialog dhe rezultatet që i ka prodhuar dhe mund t’i prodhojë ky proces.

“Unë mendoj që duhet të ulemi me të gjithë faktorët, me shtetet e veçanta të Bashkimit Evropian, me BE-në, me institucionet e BE-së në Bruksel. Por, duhet të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është ambasadori (Philip) Kosnett në Prishtinë dhe duhet t’i hedhim të gjitha letrat në tavolinë. Ne e kemi një problem që po na mundon. Ky është problemi që deklaratat e mëhershme po na pengojnë ta pranojmë realitetin. Realiteti është ky që është dhe ne duhet të ecim më tutje”, theksoi Haliti.

Lushaku-Sadriu: Shteti duhet t’i zbatojë marrëveshjet

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, konsideron që në raport me dialogun me Serbinë, qasja e paqartë e Qeverisë së Kosovës është peng i deklaratave të mëhershme të kryeministrit Kurti. Sipas saj, Kurti më herët ka shprehur qëndrime mjaft kritike lidhur me dialogun me Serbinë, për marrëveshjet e arritura në këtë proces, por edhe për zotimet e 4 shtatorit në Uashington.

“Marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar dhe kanë hyrë në fuqi, janë punë e përfunduar. Ashtu sikurse edhe Marrëveshja e Uashingtonit. Ne duhet të mendojmë se jemi shtet që merr obligime ndërkombëtare dhe pavarësisht se kush është kryeministri për momentin, shteti duhet të vazhdojë t’i zbatojë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar vet dhe është zotuar se do t’i zbatojë”, ka thënë Lushaku- Sadriu.

Ajo ka shtuar se është mjaft e rëndësishme që politika e jashtme, politika për dialogun, si dhe qëndrimet ndaj aleatëve të Kosovës, duhet të jenë afatgjata dhe jo afatshkurta, e të cilat mund të ndryshohen në baza ditore apo edhe brenda një mandati qeverisës.

Përplasje deklaratash

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti kishte propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, si dhe ka kërkuar njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq, Vuçiq kishte ngritur çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Megjithatë, palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.

Më 16 qershor, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi që “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se besojnë që “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.

Një ditë më pas, kryeministri Kurti kishte thënë: “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike”.

Megjithatë, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se si e sheh qeveria aktuale e Kosovës qasjen e SHBA-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi, zëdhënësi i qeverisë, Kryeziu, ka thënë që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partnere e pazëvendësueshme e Republikës së Kosovës.”

“Qeveria jonë, me qeverisje të mirë dhe me politika reformuese që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe fuqizojnë shtetin tonë, do të thellojë e zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin duke qenë njësoj një partner serioz për ta”, ka thënë Kryeziu.

Ai shtoi se qeveria konsultohet dhe koordinohet “vazhdimisht me SHBA-në në shumë procese, përfshirë këtu edhe në procesin e dialogut”.

“Axhamillëku politik”

Deputeti Haliti shpreh mendimin që Kosova, për të ruajtur raportet pozitive me vendet partnere, nuk duhet të përplaset me qëndrimet e tyre.

“Mendoj që Alfa dhe Omega e një shteti demokratik, e një shteti të përgjegjshëm, është që marrëveshjet që i ka bërë administrata paraprake i njeh edhe kjo dhe vazhdon me punën. Unë mendoj që axhamillëku në politikë duhet të përfundojë dhe duhet të fillojnë përgjegjësitë që të zyrtarizohet politika e jashtme e Kosovës, të zyrtarizohet politika e dialogut, sipas preferencave që ka Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Haliti.

Sqarimi i nevojshëm i pozicionit

Profesoresha Lushaku-Sadriu vlerëson kundërshtimet që Qeveria e Kosovës i shfaqë ndaj qëndrimeve të vendeve partnere, kërkojnë qasje serioze dhe dialog me ato vende, në të kundërtën ato dëmtojnë vetë interesat e vendit.

“Mendoj që duhet një dialog shumë i mirëfilltë me aleatët dhe shumë intensiv, për të sqaruar pozicionin dhe për të provuar që të ndryshohet qëndrimi i tyre, me qëllim që të adresohen çështjet që janë të kontestueshme ashtu siç e ka thënë Gjykata Kushtetuese. Mendoj që në bazë të deklaratave, nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën më 21 qershor, ka thënë se në takimin e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ata janë pajtuar vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut. Gjithashtu ai ka paralajmëruar se takimi i radhës mund të mbahet në fund të korrikut.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Takohen Kurti me Macron

Më 23 qershor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të ketë një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Tema kryesore e këtij takimi pritet të jetë çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 prill, në një letër që presidenti francez Macron ia kishte dërguar kryeministrit Kurti, kishte thënë se ai shpreson që dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”.

Macron kishte premtuar mbështetjen e plotë për procesin e dialogut./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat