Përplasje mes Kosovës e Serbisë në Dubrovnik, ja shkaku

Aktuale

Përplasje mes Kosovës e Serbisë në Dubrovnik, ja shkaku

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 19:04
Donika Gërvalla

Ideja e Mini-Shengenit rajonal ka qenë tema e cila ka përplasur Kosovën dhe Serbinë në kuadër të Forumit të Dubrovnikut të shtunën.

Teksa Kosova ka kundërshtuar ashpër këtë iniciativë duke e quajtur “kurth” si alternativë të Bashkimit Evropian, Serbia ka thënë se Mini-Shengeni ka të bëjë për hapje të rajonit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se kjo iniciativë është kundër parimeve kryesore të BE-së duke shtuar se nëpërmjet një iniciative të tillë rajoni i kthehet të kaluarës, ku “njëri shtet dominon tjetrin”.

“S’ka Mini-Shengen, është fals dhe kurth”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Sekretari i Shtetit në MPJ-në e Serbisë, Nemanja Staroviq është shprehur i befasuar me kritikat nga Kosova.

“E kemi nisur si Republikë e Serbisë me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Definitivisht nuk është zëvendësim për integrimin në BE, por është diçka që e plotëson dhe që shkon paralelisht, duke mos pasur nevojë të presim që diçka të ndodhë”, ka thënë ai duke shtuar se edhe pse është nisur si projekt nga Beogradi, Shkupi e Prishtina “Mini-Shengeni është i hapur për të gjithë rajonin”.

Sipas tij, befasi është kundërshtimi i Kosovës pasi “vetëm 10 muaj më parë, Prishtina u zotua t’i bashkohej iniciativës nëpërmjet zotimeve në Washington”.

“Nëse problemi është tek emri, mund të ju njoftoj se do ta ndryshojmë për dy javë”, ka shtuar ai.

Në vitin 2019 qe arritur një ujdi në mes të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për projektin e “Mini-Shengenit Ballkanik”. Sipas liderëve të këtyre shteteve, projekti synonte katër liritë e BE-së, atë të lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Qysh nga ajo kohë, Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar iniciativën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat