Kuçi: Dhuna e sotme i shërben narrativës së VV-së

Aktuale

Kuçi: Dhuna e sotme i shërben narrativës së VV-së

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 19:08
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se janë liruar të gjithë aktivistët e kësaj partie që janë arrestuar në aksionin e sotëm, përpos kreut të kësaj partie Dardan Molliqaj të cilit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Janë liruar të gjithë. Nuk është liruar vetëm Dardan Molliqaj i cili po mbahet në Policinë e Kosovës dhe i kanë shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë. Ne kemi pritur që Dardani të lirohet sikur të gjithë aktivistët e tjerë, pasi ky aksion ishte vetëm shprehje e pakënaqësisë dhe kundërshtimit për tarifën të cilën e quajtëm “tiketa e pabarazisë” dhe “tiketa e monopolit”. Si duket ka filluar faza e përndjekjes të kundërshtarëve politikë të Kurtit dhe kjo ndodhi me temën që është më e ndjeshmja për ta – doli që Kurti jo që nuk po i zhbën monopolet që kanë qenë, por po krijon monopole të reja”.

“Arsyeja e vërtetë e kësaj ndalje është zhvatja që i jep një kompanie 2 milionë euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Për këtë nuk kanë dashur reagim dhe dhuna që u përdor sot ishte joproporcionale me gjithë dhunën që kemi parë më herët në raport me Policinë e Kosovës”.

Kuçi tha se aktivistët e PSD-së që sot protestuan në kundërshtim të letërngjitësit që paguhet 5 euro për regjistrimin e veturave janë lënduar gjatë arrestimit.

Ajo tha se policia po përdor dhunë që, sipas saj, i shërben Albin Kurtit që t’i heshtë kundërshtarët politikë.

“Korab Korça dhe Qëndrim Sahiti janë të lënduar. Korabi e ka syrin shumë të lënduar. Tetua Rrusta është përplasur dhe goditur shumë për veture. Shumica e personave të arrestuar janë me lëndime në duar dhe kurriz meqë presioni që po e ushtrojnë policët për të arrestuar dikë është i shfrenuar në kuptimin që tre persona hidhen mbi trupin e një aktivisti për ta shprehur mllefin e policisë, sepse ndryshe s’ka asnjë kuptim që nëse Dardan Molliqaj shtrihet në tokë ta godasin prapa shpinës tre vetë dhe shqelmat e tyre të jenë në qafë, shpinë dhe këmbë”.

“Është dhunë që i shërben dhe konvenon narrativës së Kurtit për ruajtjen e rendit dhe disiplinimin e kundërshtarëve politikë. Pamë që sa më e ndjeshme është tema aq më e madhe është dhuna e ushtruar karshi kundërshtarëve të tyre që në këtë rast ishin aktivistët e PSD-së. Çka ka ndodhur sot dhe ndalja e Dardan Molliqajt për 48 orë është e rrezikshme, precedent i cili mundohet të japë leksione, të shtypë dhe të fillojë përndjekjen e kundërshtarëve politikë në mënyrë që ata sa më pak të dalin dhe të kundërshtojnë”.

Kuçi ka deklaruar se ideja e këtyre arrestimeve të sotme është që të frikësohen kundërshtarët politikë.

“Çdo ditë e më shumë na konfirmohen fjalët për rreziqet e një personi me mendësi të tillë autoritare dhe populiste. Kjo dhunë që sot ndodhi kur ne veç e krymë aksionin politik, ata nuk na ndalën me i ngjit tiketat me emrin “Zhvatës” në vetura, nuk na ndalën që ta japim prononcimin për media, ata deshën që ta ruajnë rendin e Kurtit, të na marrin dhe të na dërgojnë në polici për me ushtru dhunë. Nuk ishte ideja që ata t’i ruanin veturat mos me ju ngjit tiketat, por ideja është si të shtypet dhe frikësohet kundërshtari politik – është mendësi e rrezikshme që duhet të luftohet dhe të rritet rezistenca”.

Policia kishte thënë se ky aksion nuk ishte paralajmëruar, por zëdhënësja e PSD-së deklaroi se aksionet politike nuk lajmërohen te policia.

“Sa herë që bëjmë aktivitet politik bëjmë njoftimin për media dhe e postojmë në Facebook. Nuk besojmë që aktivizmi qytetar dhe e drejta për t’u mbledhur dhe protestuar duhet të jetë e drejtë që të merret nga policia. Asnjë aksion politik nuk paralajmërohet. As më herët Veëvendosja, PDK-ja, AAK-ja e asnjë parti politike askund në botë nuk paralajmëron mbledhjen e aktivistëve të saj për të shprehur pakënaqësitë dhe bindjet politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat