Lëvizjet greke/ A po e njeh pavarësinë e Kosovës?

Aktuale

Lëvizjet greke/ A po e njeh pavarësinë e Kosovës?

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 15:57
Ilustrim

Athina po lëviz dukshëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Por a po shkon kjo drejt njohjes së Kosovës?

Analisti Bledar Feta nga ELIAMEP i Athinës, ka shpjeguar këto lëvizje në emisionin “Ballkan”.

“Përmirësimi i marrëdhënieve me Athinën, por edhe me Madridin, por edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që do t’u lejojë atyre të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen, janë tre karotat kryesore që ka përgatitur Bashkimi Evropian për të bindur qeverinë Kurti për një kompromis të mundshëm me Beogradin. Vendimi grek është gjithashtu pjesë e një plani për të zgjeruar ndikimin e Athinës në Ballkan, pa kapërcyer vijën e kuqe, që është njohja e pavarësisë”, deklaroi ai.

Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe çështja e detit janë me rëndësi në politikën gjeo-strategjike të Greqisë. Feta nënvizon rëndësinë që ka dërgimi i marrëveshjes së detit në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

“Të dy shtetet kanë preferuar ndërhyrjen e një arbitri të pavarur legjitim siç është Gjykata e Hagës, pasi kjo konsiderohet si mënyra e duhur për një marrëveshje të drejtë të bazuar në Konventën mbi të drejtën e detit. Një vendim i gjykatës ndërkombëtare jo vetëm që do të pranohet më lehtë nga qarqet e të dyja vendeve, por në të njëjtën kohë nuk lë hapësirë për t’u shfrytëzuar nga qarqe nacionaliste dhe populiste që shohin në çdo marrëveshje greko-shqiptare tradhti kombëtare”, tha Feta.

Sido që të jetë, duket qartë që Greqia synon një rol lidershipi në rajon dhe kundërshtimin e ndikimit të Turqisë në vendet ballkanike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat