Gjykata e Apelit anulon vendimin e Prokurorisë Themelore për ministrin Liburn Aliu

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin e Prokurorisë Themelore për ministrin Liburn Aliu

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 16:43
Liburn Aliu

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për anulimin e vendimit dhe rivendosjen e çështjes ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të tjerëve.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje. Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U. dhe M.B-P”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, vlerësoi se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.

Sipas aktakuzës, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerrë dy vendime, më 27.02.2017 dhe 21.06.2017 së bashku me të pandehurit e tjerë Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat