Ismajli aspak e kënaqur me prurje të reja të PDK-së

Aktuale

Ismajli aspak e kënaqur me prurje të reja të PDK-së

Nga: A.Z Më: 5 gusht 2021 Në ora: 19:24
Besa Ismajli

Partia Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zgjedhur Kryesinë e re të Partisë.

Pas emrave të rinj në kryesi, ka reaguar përmes një postimi në facebook Ish deputetja e PDK-së, Besa Ismajli.

Siç duket nuk është aspak e kënaqur me prurje të reja të PDK-së, ajo i cilëson si të dobët emrat e rinj.

“Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të parties”, tha ajo.

Më tej ka shtuar se do të vazhdoj parreshtur, Kryetari Veseli do të më gjej aty ku dhe si më ka lënë, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Prurjet e Kadri Veselit ishin çdoherë vizionare. Sikurse veprimet e tij politike. Ashtu edhe niveli organizativ. Me një diskurs të matur, e shërbyes.

Unë pata fatin të jem rekrute në Partinë Demokratike të Kosovës nga z.Veseli. Pjesë e procesit reformues për rikthimin e integritetit politik partiak dhe më gjerë. Vendimi i tij doli i suksesshëm, ku populli më besoi në kuvend.

Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim.

Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik.

Por natyrisht, aktiviteti im politik do të jetë në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, si institucion, si emanet i brezave që po përballen me padrejtësinë ndërkombëtare.

Do të vazhdoj parreshtur dhe besnikërisht të jem konstruktive. Kryetari Veseli do të më gjej aty ku dhe si më ka lënë: parimore, me integritet, e artikuluar dhe e zëshme ndaj padrejtësive dhe gabimeve, kontribuese dhe vetmohuese, në shërbim të qytetarëve, strukturave dhe aktivistëve të PDK-së.

Natyrisht aktiviteti im politik vazhdon edhe më fuqishëm dhe do të ketë fokus avokimin e opinionit ndërkombëtar për daljen faqebardhë të çlirimtarëve. Liria e tyre është misioni ynë, misioni im, dhe do të duhej të ishte edhe mision i institucioneve të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat